Rama magjistratëve: Ejani ulemi në tryezë i japim fund këtij debati

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatin për pagat e magjistratëve, duke u bërë thirrje drejtuesve të institucioneve të sistemit gjyqësor që të ulen në një tryezë të përbashkët për të gjetur një zgjidhje afatgjatë.

Përmes një statusi në rrjetin social X, Rama shprehet se pret një përgjigje pozitive ndaj ftesës, ndërsa thekson se synimi është krijimi i një sistemi pagash që garanton magjistratët, por edhe ruan ekuilibrin e përgjithshëm të piramidës shtetërore të pagave.

“Uroj dhe besoj që përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, që nga drejtuesit e dy këshillave dhe me radhë drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u ulur së bashku në një tryezë pune pa humbur kohë, e për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë”, shkruan Rama.

Kryeministri thotë se në tryezë do të ftohen edhe ekspertë të Këshillit të Europës, ndërsa parashikon edhe kontributin e Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë.

Rama ka mbrojtur gjithashtu politikën e qeverisë për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke argumentuar se rritja e tyre dhe trajtimi financiar i magjistratëve janë rezultat i vendimeve të shumicës qeverisëse.

“Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet ta harrojnë se shkalla e tyre deri dje e paimagjinueshme e pavarësisë dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon, nuk ranë nga qielli, po mbajnë vulën e vullnetit të kësaj shumice qeverisëse”, shprehet kryeministri.

Në vijim, Rama thekson se qeveria nuk kërkon konflikt me gjyqësorin, por “bashkëveprim institucional”, duke nënvizuar respektimin e pavarësisë së ndërsjellë.

“E nëse kemi mosdakordësi, na takon t’i trajtojmë me urtësi dhe durim duke dhënë një shembull dinjiteti shtetëror për qytetarët tanë e njëkohësisht edhe për partnerët e Shqipërisë”, përfundon Rama