Mbrojtja e ish-kreut të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka shprehur zhgënjim të thellë ndaj dënimit me 25 vite burg nga Gjykata Speciale, duke paralajmëruar apelimin e menjëhershëm të këtij vendimi. Në një deklaratë zyrtare, avokatja kryesore Venkateswari Alagendra theksoi se provat e rëndësishme të paraqitura gjatë procesit nuk janë marrë parasysh ose nuk u është dhënë pesha e duhur ligjore.
Mbrojtja shtoi vendimi i vetëm i drejtë do të ishte pafajësia e plotë për të gjitha akuzat. Sipas mbrojtjes, përgjatë dy viteve gjykim asnjë dëshmitar nuk ka dëshmuar për keqtrajtime nga Krasniqi apo në prani të tij, ndërsa dëshmitarët ndërkombëtarë dhe ata të prokurorisë e kanë përshkruar atë si një lider të moderuar dhe bashkëpunues.
Ajo gjithashtu ka përcjellë mirënjohjen e Krasniqit për njerëzit e Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme dhe besimin që kanë pasur tek ai gjatë gjithë këtij procesi.
Reagimi i plotë:
Natyrisht, jemi thellësisht të zhgënjyer nga aktgjykimi i gjyqtarëve të trupit gjykues. Do të marrim kohë për të shqyrtuar dhe analizuar me kujdes arsyetimin e plotë të gjyqtarëve, por tashmë është e qartë se prova të rëndësishme të paraqitura gjatë gjykimit ose nuk janë marrë siç duhet në konsideratë, ose nuk u është dhënë pesha e duhur.
Në këto rrethana, është e qartë se do ta apelojmë këtë aktgjykim. Qëndrimi ynë është se, bazuar në provat e paraqitura, rezultati i vetëm i përshtatshëm do të ishte shpallja i pafajshëm e Jakup Krasniqit për të gjitha akuzat.
Është gjithashtu për të ardhur keq që Jakup Krasniqi, i cili është pothuajse 76 vjeç, ka kaluar në paraburgim gati 6 vite të jetës së tij. Gjatë kësaj kohe, ai jo vetëm që ka qenë larg familjes dhe Kosovës së tij të dashur, por është dashur të jetojë me akuza që bien ndesh me punën e tij jetësore për të drejtat e njeriut, barazinë dhe lirinë.
Dëshmitarë të shumtë kanë dëshmuar se ai është një demokrat i vërtetë, një lider i moderuar dhe një person që ka qenë gjithmonë bashkëpunues në marrëdhëniet e tij me komunitetin ndërkombëtar.
Është e rëndësishme të kujtohet se, gjatë më shumë se dy viteve të gjykimit, asnjë dëshmitar nuk dëshmoi se ishte keqtrajtuar nga Jakup Krasniqi apo se ishte keqtrajtuar në praninë e tij. Përkundrazi, shumë dëshmitarë ndërkombëtarë dhe dëshmitarë të Prokurorisë nga Kosova folën me vlerësime shumë pozitive për natyrën e ekuilibruar të z. Krasniqi dhe mënyrën se si ai sillej.
Është një realitet i trishtueshëm që Jakup Krasniqi ka humbur 16 vite të jetës së tij për shkak të akuzave që, sipas nesh, nuk duhej të ishin ngritur kurrë: 10 vite të jetës së tij u morën kur ai u burgos padrejtësisht nga regjimi serb i Millosheviqit, ndërsa gati 6 vite të tjera i ka kaluar i ndaluar në lidhje me akuzat aktuale.
Z. Krasniqi është krenar që ka luftuar për Kosovën e re që lindi në vitin 1999 dhe shpreson që brezi i ri i kosovarëve të mos i marrë kurrë liritë si diçka të garantuar.
Lufta është e shëmtuar dhe mizore, edhe kur është e domosdoshme. Shumë njerëz – në të gjitha anët – vuajtën jashtëzakonisht shumë gjatë konfliktit të shkaktuar nga regjimi i terrorit të Millosheviqit dhe mendimet e z. Krasniqi vazhdojnë të jenë me të gjithë ata që pësuan humbje.
Ndërsa ne, si ekip i tij ligjor, do të shqyrtojmë mundësitë e apelimit dhe mjetet e tjera juridike, z. Krasniqi e kupton se kjo çështje është më e madhe se ai vetë
Historia nuk mund të rishkruhet. Mbrojtësit e jetës dhe lirisë, për të cilat UÇK-ja aspironte dhe punoi, nuk mund të paraqiten tani si fajtorët e historisë. Çdo përpjekje për ta bërë këtë duhet të dënohet.
Edhe përballë këtij aktgjykimi thellësisht zhgënjyes, z. Krasniqi më ka kërkuar t’u përcjellë mirënjohjen e tij njerëzve të Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme dhe besimin që kanë pasur tek ai gjatë gjithë këtij procesi.