Qeveria propozoi të krijojë rezervën strategjike të naftës në pronësi të shtetit shqiptar, por një pjesë e kostos së saj do të përballohet nga operatorët privatë, të cilët pritet që këtë kosto ta transferojnë në çmimin final të pakicës.
Edhe vetë qeveria ka ranuar në raport e saj se sigurimi i fondeve do të kërkojë, ndër të tjera, vendosjen e tarifës që do të aplikohet mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure, çka do të sjellë rritje të ngarkesës financiare në zinxhir dhe do të reflektohet në rezultatin final të çmimit të shitjes te konsumatori.
Rezerva synon të përdoret në raste emergjencash, kur importet mund të ndërpriten dhe vendi ka nevojë të garantojë furnizimin me karburant për shërbime jetike, si ambulancat apo mjetet e ushtrisë.
Projektligji, në nenin 8, përcakton se rezerva do të krijohet përmes depozitimit të naftës nga një Autoriteti shtetëror që do të krijohet dhe në marrëveshje me operatorë privatë të licencuar. Në këtë mënyrë, kompanitë private do të ngarkohen të depozitojnë fizikisht karburant për llogari të shtetit, me qëllim krijimin e rezervës së sigurisë.
Por përveç detyrimit për depozitimin fizik të produktit, operatorët do të ngarkohen edhe me një pagesë të përcaktuar në projektligj si “tarifa e rezervës së sigurisë”. Kjo tarifë do të shkojë në një fond që do të përdoret për mbulimin e shpenzimeve të krijimit të rezervës fizike, mirëmbajtjes, monitorimit dhe kostove të tjera të skemës. Ndërsa pjesa tjetër e shpenzimeve për mirëmbajtjen e rezervës, sipas draftit do të mbulohen edhe përmes kredive, të ardhurat nga buxheti i shtetit, të ardhurat nga shitja e rezervave etj.
Shoqata e Hidrokarbureve ngre shqetësime për mënyrën se si qeveria parashikon ta financojë modelin e ri të propozuar për krijimin e sigurisë së naftës.
Sipas tyre, drafti nuk përcakton asnjë kosto se sa do të kushtojë blerja e karburantit për rezervën, magazinimi dhe rinovimi i stokut, ndërsa mbetet i paqartë edhe trajtimi i humbjeve në rast se çmimi i karburantit bie pasi rezerva është blerë.
Projektligji përcakton një tarifë mbi produktet hidrokarbure të akcizës, për të cilën Shoqata e Hidrokarbureve argumenton së pari, se kjo pagesë nuk mund të konsiderohet si tarifë për një shërbim, pasi nuk bëhet fjalë për një shërbim që shteti i ofron kompanive, por për financimin e një detyrimi publik përmes një tarife të vendosur mbi karburantet.
Kjo pagesë, sipas Shoqatës të Hidrokarbureve do të kthehet në një kosto shtesë për konsumatorin, pasi do të përfshihet në çmimin e karburantit. Për këtë arsye Shoqata e Hidrokarbureve e konsideron “taksë të fshehtë”, antikushtetuese pasi niveli i saj nuk do të miratohet nga Parlamenti, por nëpërmjet vendimit të ministrive të linjës.
Ndërkohë në muajin tetor të vitit 2025, Qeveria miratoi projektligjin për krijimin e rezervave të sigurisë së naftës, por një dokument zyrtar që shoqëroi nismën gjatë fazës së konsultimit përcaktonte qartë se tarifa për financimin e skemës do të ndikojë në çmimin final të karburanteve.
Raporti i Vlerësimit të Ndikimit, i hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë fazës së konsultimit, evidenton një efekt potencial të drejtpërdrejtë në çmimin që paguhet në treg.
Dokumenti analizon disa alternativa dhe përcakton si opsion të preferuar Opsionin 1, hartimin dhe miratimin e një ligji të ri për rezervat e sigurisë.
Në analizën e ndikimeve të politikës, Ministria parashikon se krijimi dhe funksionimi i sistemit do të financohet, ndër të tjera, përmes një tarife mbi sasitë e produkteve hidrokarbure.
“Sigurimi i fondeve do të kërkojë, ndër të tjera, vendosjen e tarifës që do të aplikohet mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure”, thuhet në raport. Sipas të njëjtit dokument, kjo do të sjellë rritje të ngarkesës financiare në zinxhir dhe do të reflektohet në rezultatin final të çmimit të shitjes te konsumatori.
Më tej, në pjesën ku analizohen kostot për bizneset, raporti është edhe më i drejtpërdrejtë. Ai parashikon vendosjen e tarifës mbi produktet hidrokarbure që i nënshtrohen akcizës dhe shton se “kjo do të ndikojë në çmimin final të shitjes së nënprodukteve në tregun vendas”.
Edhe përmbledhja ekzekutive e raportit parashikon tarifa financiare për bizneset. Sipas saj, këto kosto vlerësohen si minimale dhe tarifat do të mblidhen pasi produkti të jetë shitur për konsumatorin final.
Raporti nuk jep një përllogaritje se sa mund të jetë efekti në lekë për litër. Niveli i tarifës nuk përcaktohet në vlerësimin e ndikimit dhe kostot nuk janë kuantifikuar, diçka që nuk e bën ende te mundur të përcaktohet ndikimi real i rritjes së çmimit.
Vetë mekanizmi gjithsesi ishte parashikuar që në fazën e konsultimit: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Ministrinë e Financave, do t’i propozonin Këshillit të Ministrave tarifën për krijimin dhe mbajtjen e rezervës së sigurisë, të aplikuar mbi produktet hidrokarbure që i nënshtrohen akcizës.
Edhe pa këtë taksë, Shqipëria, ndër vendet më të varfra të Europës është e treta më e shtrenjë në vlerë, me naftën që tregtohet aktualisht në gati 2.5 euro, në nivele gati të njëjta me Norvegjinë dhe Danimarkën. E matur sipas guqisë blerëse, nafta është 2.6 herë më e shtrenjtë se mesatarja europiane. Arsyeja kryesore lidhet me barrën e rëndë të taksave, që përbëjnë gati gjysmën e çmimit, nga rreth 30% që e ka rëndesën rajoni, teksa ky i fundit ka zbatuar vazhdimisht dhe lehtësi fiskale. Por, në vend të që ulët taksat, qeveria, në kulmin e krizës, ndërmori një veprim që pritet të rrisë edhe më tej çmimin./Monitor
The post Gjithë shtetet marrin masa lehtësuese përballë shtrenjtimit të karburanteve, Rama shton edhe një taksë të re appeared first on GIJOTINA.