Nga Hermes Kafexhiu
“Të fortët bëjnë atë që kanë fuqinë të bëjnë, ndërsa të dobëtit vuajnë atë që duhet të vuajnë.” – Nicola Guy, Lindja e Shqipërisë
Mëngjesi i sotëm është shumë ndryshe për shqiptarët. Ndryshe nga çdo mëngjes tjetër, edhe pse një pjesë e madhe e tyre nga intensiteti i punëve të përditshme, mbijetesës së vazhdimësisë do t’i bëjë ata të mendojnë më pak dhe deri aty sa mos të jenë të vëmendshëm se çfarë ndodhi me të vërtetë dje ndaj tyre.
Dje u dënuan në Hagë katër ish-udhëheqës të UÇK-së dhe mes tyre Hashim Thaçi, një prej atyre që lexoi deklaratën e pavarësisë.
Do të mjaftonte kaq për çdo komb në botë, për çdo shtet, për çdo gjykatë t’i thoje se si do të ishte sikur ju do të shihnit që ai që ka sjellë pavarësinë të dënohej për krime lufte. E aq më tepër për absurditetin e madh një gjykatës anglishtfolës e dënoi atë në emër të popullit që çliroi.
Megjithatë përballë historisë duhet të jesh sa më pak emocional, historia është zhvillimi më i ftohtë i narrativës njerëzore dhe universalisht shpesh është shkruar shtrembër, me gënjeshtra e deformuar dhe mbi të gjitha në mënyrë absurde, e tek e fundit është shkruar nga ata që kanë pasur fuqi më shumë.
Historia për popujt është një reklamë ekzistenciale që ekspozon fuqinë e tyre për të qenë në vazhdimësi dominues.
Po le të kthehemi në realitetin e këtij mëngjesi.
Vendimi i djeshëm është kryekëput mendimi i raportit të Dik Martit për shqiptarët. E zgjuan nga varri dje për t’i përjetësuar helmin që hodhi mbi shqiptarët si një huaj plangprishës që veproi në mënyrë raciale pa llogaritur në asnjë moment komponentin se shqiptarët e Kosovës nuk ishin okupues por të pushtuar, nuk ishin dominues por të mbijetuar, e mbi të gjitha nuk ishin ata që vranë por ata që u mbrojtën.
E përtej kësaj gjykatësi dje e nisi vendimin e tij duke theksuar disa herë se ky vendim nuk bën kinse pis luftën e Kosovës për liri, por dënon përgjegjësinë individuale. Po si mund të marrësh ti përgjegjësinë individuale të njerëzve që luftuan për pavarësi për një qeverisje autonome kur çdo veprim i tyre vjen si rrjedhojë e këtij misioni?!
Vendimi i tij do të ishte ndoshta i drejtë nëse askush nuk do ta legjitimonte UÇK-në, Rambujen por mbi të gjitha 17 shkurtin.
Vendimi ishte kryekëput një vendim kaq pragmatist dhe tërësisht i bazuar në faktin e pazarit, fitimit, parave dhe fuqisë.
Pazari është teza e hershme e Sheshelit që e llogariti humbjen e territorit të Kosovës por jo humbjen e Kosovës si përvetësim ekonomik, edhe ai i vendim i djeshëm shtyn disa fuqi të ndërmjetësojnë një Pazar resursesh të bërë publik prej kohësh nga gazetarë seriozë në media.
Fitimi është vetë fakti i zgjatjes së gjykatës speciale e cila paguhet si marrëveshje e disa shteteve që hedhin paratë për të ndërtuar një gjykatë e cila përdoret politikisht për ekuilibrat absurd “se Serbia na e luan me Rusinë dhe është e rëndësishme për ne ta mbajmë afër, ndaj në kandarin e Kosovës që mori pavarësinë ne do duhet t’ia bëjmë qejfin me disa dënime”. Ndërkohë që gjykata kur e thotë këtë e harron se ndërhyrjen luftarake në Serbi e bëri NATO. Ose më saktë nuk do ta kujtojë.
Parave sepse dihet që lobi serb prej kohësh i legjitimuar ka ndërhyrë për të përdorur gjykatën speciale si mjet ekskluziv për të ushqyer faktin se shqiptarët janë një vend mercenarësh dhe jo shtetformues.
Edhe e parafundit fuqia. Jo më kot në librin Lindja e Shqipërisë, Nicola Guy shkroi shprehjen se:
“Të fortët bëjnë atë që kanë fuqinë të bëjnë, ndërsa të dobëtit vuajnë atë që duhet të vuajnë.”
Ajo është një historiane britanike serioze dhe e sjell këtë frazë në kontekstin e kohës, pra në periudhën kur do të shpallej Pavarësia e Shqipërisë dhe në vitet e para që pasuan.
Si origjinë, kjo filozofi mendimi vjen nga Tukididi, te Historia e Luftës së Peloponezit. Megjithatë, është një shprehje që shkon në shumë lloj kontekstesh, sidomos kur bëhet fjalë për përplasje dhe raporte force siç ishte edhe rasti sot.
Është e shumë e thjeshtë, ne e hasim në përditshmërinë tonë, ti mund të jesh i zoti, përpara të tjerëve, me energji të madhe, por kjo nuk mjafton nëse nuk ke një krah një fuqi të madhe që çajë rrugën. E për të luftuar nënvleftësimin apo nënshtrimin, ti përballesh me dobësinë e madhe të ekzistencës tënde.
E fundit që na dëmton është kujtesa, shqiptarët i dëmton përherë kontributi për të ndërtuar kujtesën kombëtare. Për të treguar atë që ka ndodhur dhe mbi të gjitha për të qenë të unifikuar në luftërat e bëra.
Ashtu sikur ka shumë frikë të kujtohet se përpara se Europa të flasë për shqiptarët duhet të mendojë se për një fakt të provuar, ata janë europianët më të vjetër të kontinentit.
Kjo është një kujtesë themeltare që 81-vjeçari i djeshëm as nuk donte t’ia dinte përpara se ta lexonte vendimin.
Pafuqia jonë është dhe fatkeqësia jonë.