Nje gabim ortografik gazetaresk le pa gjume familjen e qytetarit Haskaj. Ankohet ne AMA

Një ngatërrim mbiemri në raportimin e lajmit për disa arrestime të kryera në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Fierit ka bërë që qytetari Kastriot Haskaj t’i drejtohet Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Rasti lidhet me arrestimin e dy ish-drejtuesve të Kadastrës së Qarkut të Fierit dhe të një personi tjetër, të akuzuar për përfshirje në tjetërsimin e një sipërfaqeje toke në Seman.

Në disa media, mbiemri i personit të arrestuar, Hasko, është raportuar fillimisht si Haskaj. Si pasojë, Kastriot Haskaj është paraqitur gabimisht si personi i përfshirë në çështjen penale.

Në këto kushte, Haskaj nëpërmjet avokatit të tij i është drejtuar AMA-s me ankesë dhe kërkesën që mediat që kishin transmetuar lajmin, ta rregullonin këtë gabim. Sipas ankesës, bëhet fjalë për dy persona të ndryshëm, me mbiemra, identitete dhe të dhëna personale të ndryshme. Në disa prej publikimeve janë përdorur edhe fotografi të lidhura me aktivitetin profesional të Haskajt për të ilustruar lajmin mbi arrestimet.
Kastriot Haskaj, në ankesën e tij, ka thënë se publikimi i emrit dhe imazheve të lidhura me të në një ngjarje penale, me të cilën nuk ka asnjë lidhje, i ka cenuar emrin, reputacionin dhe figurën publike e profesionale.

Ai i ka kërkuar Autoritetit të Mediave Audiovizive të verifikojë publikimet dhe të trajtojë rastin në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi.

AMA, në mbrojtje të së drejtës së qytetarit për informim të saktë dhe për respektimin e dinjitetit e të reputacionit të tij, ka njoftuar mediat ku ka ndodhur ky raportim gabim dhe çështja është zgjidhur menjëherë.

Autoriteti rikujton rëndësinë e verifikimit të informacionit dhe të identitetit të personave përpara publikimit, sepse çdo pasaktësi mund të sjellë pasoja për vetë qytetarët.