Ministrja Kumbaro: Shqipëria përmirësoi rezultatet në PISA, përzgjedhja e shkollave sipas metodologjisë së OECD-së

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë një interpelance në Kuvend lidhur me rezultatet e PISA 2025, bëri të ditur se Shqipëria ka shënuar përmirësim krahasuar me ciklin e vitit 2022, me 65 pikë më shumë në matematikë, 59 pikë në shkencë dhe 50 pikë në lexim.

Sipas të dhënave të prezantuara nga ministrja, nxënësit shqiptarë arritën 433 pikë në matematikë, 435 pikë në shkencë dhe 408 pikë në lexim. Shqipëria u rendit përpara disa vendeve të rajonit në matematikë dhe shkencë, ndërsa në lexim u pozicionua në mesin e vendeve të Ballkanit. Në vlerësimin për zgjidhjen kompjuterike të problemeve, Shqipëria rezultoi gjithashtu mbi disa vende të rajonit.

Një pjesë e interpelancës u fokusua te metodologjia e kampionimit të PISA-s dhe shënimi teknik që shoqëron rezultatet e Shqipërisë. Minsitrja Kumbaro sqaroi se përzgjedhja e kampionit zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara nga OECD dhe konsorciumi ndërkombëtar që administron PISA-n në më shumë se 90 vende dhe nuk përcaktohet nga Ministria e Arsimit apo institucionet kombëtare.

Sipas standardit teknik të PISA-s, pjesëmarrja e shkollave të përzgjedhura në kampion duhet të jetë të paktën 85%. Në Shqipëri, kjo pjesëmarrje arriti rreth 80%. Ndërkohë, standardi për pjesëmarrjen e nxënësve brenda shkollave të përzgjedhura është të paktën 80%, ndërsa në Shqipëri ky tregues arriti në 97,37%.

Ministrja theksoi se niveli prej 97,37% tregon se pothuajse të gjithë nxënësit e përzgjedhur brenda shkollave të kampionit morën pjesë në testim. Sipas të dhënave të paraqitura, nxënësit e thirrur për testim u paraqitën në masë të lartë dhe rezultatet e tyre u përfshinë në vlerësim.

Në total, në PISA 2025 morën pjesë 5959 nxënës shqiptarë, krahasuar me rreth 6 mijë nxënës në vitin 2022, çka sipas ministres tregon një nivel të përafërt pjesëmarrjeje mes dy cikleve të testimit. Ajo theksoi gjithashtu se shpërndarja demografike e nxënësve të testuar ka mbetur praktikisht e njëjtë nga një cikël në tjetrin.

Ministrja u ndal edhe te shkollat që nuk u përfshinë në kampion, duke theksuar se mospërfshirja në PISA lidhet me procedurën statistikore të kampionimit dhe nuk nënkupton përjashtimin e tyre nga sistemi arsimor. Sipas saj, kampioni përzgjidhet në bazë të metodologjisë ndërkombëtare dhe jo përmes një përzgjedhjeje të shkollave nga institucionet shqiptare.

Në lidhje me shënimin teknik të OECD-së, ministrja bëri të ditur se analiza merr në konsideratë edhe efektin e mundshëm të mospjesëmarrjes së shkollave me më pak se 21 nxënës. Sipas të dhënave që ajo citoi nga raporti, edhe në një skenar me prirje negative, paragjykimi statistikor i mundshëm nuk pritet të kalojë 7,5% të një devijimi standard.

Për rezultatin në shkencë, ku Shqipëria raportoi 435 pikë, kufiri i poshtëm i besueshëm në skenarin e analizuar do të ishte 428 pikë, ose 7 pikë më pak. Ministrja Kumbaro theksoi se treguesi prej 7,5% i referohet paragjykimit të mundshëm statistikor dhe jo një uljeje prej 7,5% të rezultatit të Shqipërisë.

Sipas ministres, OECD nuk i ka anuluar rezultatet e Shqipërisë dhe as e ka përjashtuar vendin nga PISA, por i ka publikuar rezultatet së bashku me shënimin teknik përkatës. Ajo solli si shembull edhe ciklin PISA 2012, kur OECD kishte identifikuar kufizime në një pjesë të të dhënave të mbledhura përmes pyetësorëve, pa zhvlerësuar në tërësi rezultatet e testimit të nxënësve shqiptarë.

Në vijim të rezultateve të PISA-s, Kumbaro paraqiti edhe masat që po zbatohen në sistemin arsimor. Mbi 30 mijë mësues kanë nisur ciklin e zhvillimit profesional në partneritet me nëntë universitete publike, ndërsa këtë vit ka nisur zbatimi i kurrikulës së re në klasat 1, 6 dhe 10, me përfshirjen e qasjes STEM dhe sigurisë kibernetike. Përditësimi gradual i kurrikulave parashikohet të përfundojë në vitin 2029. Në fushën e infrastrukturës, 53 shkolla të reja hapën dyert në fillim të këtij viti shkollor, ndërsa 39 projekte të tjera infrastrukturore janë miratuar për rindërtim.

Krahas PISA-s, Shqipëria po merr pjesë edhe në vlerësime të tjera ndërkombëtare. Gjatë vitit të kaluar është zhvilluar testimi PIRLS për aftësitë në lexim të nxënësve 10-vjeçarë, është realizuar faza paraprake e TIMSS për aftësitë matematikore të së njëjtës grupmoshë, ndërsa është zhvilluar edhe anketa TALIS e dedikuar mësuesve.

Në përfundim, ministrja Kumbaro theksoi se Shqipëria ka ende hapësirë për përmirësim në lexim, matematikë dhe shkencë, duke nënvizuar se rezultatet e PISA-s duhen trajtuar si një shtysë për vijimin e reformave në arsim. Ajo veçoi rëndësinë e nxitjes së leximit dhe të përfshirjes së nxënësve përmes aktiviteteve si Konkursi i Gjuhës Shqipe, Festivali i Shkencës, Olimpiadat Kombëtare, festivalet teatrore dhe aktivitetet korale. Këtë vit, Ministria e Arsimit do të nisë edhe nismën “Takohemi për një libër 2.0”, me synim nxitjen e interesit të nxënësve për leximin dhe zhvillimin kulturor.