Ish-diplomati amerikan pas dënimit të krerëve të UÇK-së: U befasova që u dha një dënim kaq i rëndë

Ish-diplomati amerikan, Filip Riker, është shprehur i befasuar me dënimet e shqiptuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Riker ka thënë se, pavarësisht aktgjykimit të shpallur, duhet të pritet procesi i apelimit për të parë se cili do të jetë rezultati përfundimtar i këtij rasti.

“Epo, pas një kohe shumë të gjatë, sot mësuam për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në këtë rast. Procesi zgjati për disa vite, sigurisht, me Hashim Thaçin dhe të pandehurit e tjerë që po mbaheshin në paraburgim. Sinqerisht, u befasova që u dha një dënim kaq i rëndë”, ka deklaruar Riker.

Ai ka theksuar se aktgjykimi është vendim i gjykatës dhe se tashmë çështja do të kalojë në fazën e apelimit.

“Ky është aktgjykimi i gjykatës, i Dhomave të Specializuara, dhe tani, sigurisht, çështja do të kalojë në procesin e apelimit dhe do të shohim se cili do të jetë rezultati i këtij procesi. Epo, nuk më takon mua të them. Aktgjykimi është aktgjykimi. Ky është një proces përmes një institucioni që është krijuar për këtë qëllim”, ka thënë ai.

Riker ka pranuar se vendimi ka shkaktuar reagime dhe dhimbje në rajon, duke thënë se tashmë duhet të pritet rrjedha e procesit të apelimit.

“E di se në rajon, tek shumë njerëz, kjo shkakton një dhimbje të madhe. Por, siç thashë, duhet të shohim procesin që na pret, i cili përfshin edhe procesin e apelimit, dhe të shohim se ku mund të na çojë ky proces në fund”, është shprehur Riker.

Sipas tij, më e rëndësishmja tani është që të mendohet për të ardhmen e Kosovës, Serbisë, Ballkanit dhe Evropës.

“Mendoj se gjëja e rëndësishme është të mendojmë për të ardhmen e rajonit, të ardhmen e Kosovës, të ardhmen e Serbisë, të ardhmen e të gjithë Ballkanit dhe të Evropës. Dhe ka qenë prej kohësh shpresa ime që të shohim përparim të vërtetë në këtë drejtim. Fatkeqësisht, përparimi ka qenë shumë i ngadalshëm dhe nuk jam i sigurt se ky aktgjykim apo ky proces na ndihmon në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.

Riker: Ndjenja e padrejtësisë nuk duhet të jetë justifikim për dhunë

Ish-diplomati amerikan ka folur edhe për reagimet e forta pas shpalljes së aktgjykimit, duke theksuar se pakënaqësia ndaj vendimit nuk duhet të shndërrohet në dhunë.

“Përsëri, u takon njerëzve të mendojnë për rrugën më të gjerë që duhet ndjekur. Shprehja e reagimeve dhe e ndjenjës së padrejtësisë në këtë proces, që është ajo që po shohim në shumë raste, nuk duhet të jetë justifikim për dhunë”, ka thënë Riker.

Ai ka kujtuar historinë e dhunës në rajon dhe ka bërë thirrje për një rrugë më të qëndrueshme përpara.

“Kemi pasur mjaft dhunë në këtë rajon gjatë dekadave dhe shekujve. Është koha të ecim përpara drejt diçkaje më të qëndrueshme”, ka deklaruar ai.

Riker ka përmendur edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke kujtuar angazhimin e tij në këtë proces së bashku me ish-përfaqësuesen e lartë të BE-së, Catherine Ashton.

“Për këtë kishte të bënte edhe dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kur punoja për këtë çështje, së bashku me baroneshën Catherine Ashton të BE-së, më shumë se një dekadë më parë, pikërisht këtë po përpiqeshim të arrinim. Dhe bëmë disa hapa përpara me marrëveshjen, Marrëveshjen e Brukselit, në vitin 2015”, ka thënë Riker.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se në më shumë se një dekadë nuk është shënuar përparim i mjaftueshëm.

vendet mund të gjejnë një rrugë për të ecur përpara”, ka thënë Riker.

Ai ka theksuar se procesi duhet të synojë paqen dhe një mënyrë bashkëjetese në rajon.

“Procesi duhet të jetë një proces i gjetjes së paqes dhe i gjetjes së një mënyre për të jetuar së bashku. Përsëri, nuk mund ta ndryshoni gjeografinë. Nuk mund ta ndryshoni historinë”, ka deklaruar ai.