Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali ka shprehur qëndrimin e saj mbi vendimin, duke e vendosur atë në kontekstin e historisë së Kosovës dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Statusi i Elisa Spiropalit
Serbia e Millosheviçit e dënoi Hashim Thaçin e Kosovës me dhjetë vjet burg.
Për 1 arsye të vetme: Sepse Hashim Thaçi nuk zgjodhi zgjedhën, por rezistencën e armatosur kundër robërisë.
Sot, në Hagë, nuk u dënuan mizorisht katër individë; Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Përmes gjuhës së përdorur dhe rrëfimit politik u dënua ajo çka në fakt për shqiptarët dhe botën mbarë, pavarësisht si e formuluan, ishte një ndërmarrje çlirimtare.
Një gjykatë mund të përcaktojë përgjegjësi individuale. Por nuk mund ta rishkruajë si projekt kriminal luftën e një populli për liri. UÇK-ja ishte përgjigjja ndaj dhunës shtetërore serbe dhe themeli mbi të cilin u ndërtua liria e Kosovës.
Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës duhet të miratojnë menjëherë një rezolutë të përbashkët që mbron të vërtetën historike të luftës çlirimtare dhe kundërshton çdo përpjekje për fajësi të UÇK-së dhe të një populli të tërë.