Hashim, sot po të shkruaj si mik

Nga Baton Haxhiu/

Hashim,

Në vitin 1997 Serbia të dënoi me dhjetë vjet burgim në mungesë. Sot një gjykatë e krijuar në kuadër të rendit juridik të Kosovës të dënoi me njëzet e pesë. Midis këtyre dy vendimeve ndodhet e gjithë historia e Kosovës së lirë. Pikërisht për këtë arsye mënyra si u rrëfye sot ajo histori më dhemb pothuajse po aq sa vetë dënimi.

Nuk po i barazoj këto dy gjykata dhe as dy proceset. Do të ishte e padrejtë dhe juridikisht e pasaktë. Por nuk mund ta shmang peshën e këtij paradoksi. Serbia të dënoi atëherë sepse të konsideronte pjesë të një lëvizjeje që luftonte kundër saj. Gjykata e sotme thotë se nuk po gjykon qëllimin e pavarësisë së Kosovës, por krimet që, sipas saj, janë kryer gjatë rrugës drejt atij qëllimi. Megjithatë, mënyra si u shqiptua aktgjykimi sot e la për mua një ndjesi shumë më të rëndë. Duke ndarë formalisht lirinë nga krimet, rrëfimi e afroi aq shumë luftën çlirimtare me konceptin e ndërmarrjes kriminale, sa në disa momente dukej sikur vetë rruga drejt lirisë po vihej në bankën e të akuzuarve.

Kjo është ajo që nuk mund ta pranoj.

Sot Gjykata të dënoi me 25 vjet burgim për krime lufte. Të shpalli fajtor për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, ndërsa nuk të shpalli fajtor për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit. Vendimi është i shkallës së parë dhe beteja juridike vazhdon me të drejtën e ankimit.

Nuk dua ta diskutoj sot masën e dënimit. Nuk dua të bëhem as avokat, as prokuror dhe as gjyqtar i një procesi që ka zgjatur me vite. Ka njerëz që janë vrarë, torturuar dhe mbajtur të ndaluar, ka familje që kanë kërkuar drejtësi dhe çdo viktimë meriton emrin, dinjitetin dhe të vërtetën e saj. Përgjegjësia për një krim duhet të provohet dhe të mbetet përgjegjësi individuale.

Por pas asaj që dëgjova sot, nuk mund të hesht për një gjë tjetër. Më shqetësoi gjuha me të cilën u tregua lufta, mënyra si u ndërtua rrëfimi dhe mënyra si përgjegjësia e individëve u vendos brenda një portreti shumë më të gjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një moment të shqiptimit të vendimit gjykata bëri, në thelb, një ndarje që për mua është shumë e rëndësishme. Ajo nuk mori përsipër të gjykonte nëse qëllimi për pavarësinë e Kosovës ishte i mirë apo i keq, por tha se gjatë rrugës drejt atij qëllimi ishin kryer krime, tortura dhe ndalime, dhe se të akuzuarit kishin vepruar në kuadër të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që synonte kundërshtarët politikë dhe njerëzit e perceptuar si bashkëpunëtorë. Gjykata njëkohësisht nuk gjeti të provuar pragun juridik për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit.

Këtu është problemi im me rrëfimin që dëgjova sot. Juridikisht mund të thuhet se qëllimi politik për pavarësi ndahet nga krimet që kryhen gjatë rrugës. Por kur më pas komunikatat, strukturat e sigurisë, organizimi politik, burgjet, drejtuesit, kundërshtarët dhe veprimtaria e një lëvizjeje vendosen për orë të tëra brenda një tregimi kriminal, kufiri ndërmjet përgjegjësisë individuale dhe përshkrimit të karakterit të luftës bëhet shumë i hollë.

Unë nuk e kundërshtoj të drejtën e një gjykate për të thënë se gjatë një lufte për pavarësi është kryer një krim. Krimi mbetet krim edhe kur qëllimi politik është i drejtë. Por nuk mund ta pranoj që krimi të bëhet shpjegimi kryesor i rrugës së Kosovës drejt lirisë.

UÇK nuk lindi për të burgosur shqiptarë, nuk lindi për të torturuar njerëz dhe nuk lindi si projekt kriminal. Ajo lindi pas viteve të represionit shtetëror serb, heqjes së autonomisë, largimit të shqiptarëve nga institucionet, burgosjeve politike dhe dhunës që përdorej si mjet shtetëror. Kur lufta u bë e hapur, ajo dhunë u shndërrua në vrasje, dëbime dhe shkatërrime të mëdha. Tribunalet ndërkombëtare kanë konstatuar më pas përgjegjësi të zyrtarëve të lartë serbë për dëbime të dhunshme, vrasje dhe krime të tjera kundër popullsisë shqiptare të Kosovës.

NATO nuk ndërhyri sepse UÇK po ndërtonte një ndërmarrje kriminale. Ndërhyrja erdhi pas dështimit të diplomacisë dhe përballë një katastrofe humanitare që Perëndimi e lidhte me politikën e represionit dhe dhunës së forcave të Beogradit. Ky kontekst nuk e fal asnjë krim të kryer nga pala shqiptare. Por pa këtë kontekst nuk mund të shkruhet ndershmërisht historia e luftës.

Kjo është ajo që më shqetësoi sot. Jo fakti që gjykata përshkroi krime që tha se i kishte provuar. Më shqetësoi mënyra si ato krime u vendosën në një rrëfim që, në shumë momente, i dha gjithë luftës një kontekst kriminal dhe e la pothuajse jashtë arsyen pse ajo luftë kishte filluar.

Unë atë luftë nuk e kam mësuar pas tridhjetë vjetësh. E kam jetuar. Kam qenë brenda saj si gazetar dhe si dëshmitar. Kam njohur protagonistët, kam parë gabime, konflikte, arbitraritet, vendime të këqija dhe njerëz që nuk duhej të prekeheshin. Nuk kam nevojë që askush të më mësojë se lufta prodhon edhe krime.

Por kam parë edhe një popull që po përpiqej të dilte nga Serbia. Kam parë njerëz që nuk e dinin nëse do të jetonin deri të nesërmen. Kam parë fshatra që boshatiseshin dhe njerëz që largoheshin nga shtëpitë. Kam parë një lëvizje të armatosur që ishte krijuar sepse një pjesë e madhe e një brezi kishte humbur besimin se liria mund të vinte vetëm duke pritur.

Kjo është pjesë e së vërtetës dhe nuk mund të hiqet nga historia vetëm sepse nuk është pjesë e aktakuzës.

Prandaj sot nuk e kundërshtoj gjykatën për faktin se ka gjykuar individë për krime. E kundërshtoj gjuhën kur ajo kalon nga përgjegjësia individuale në një portret historik të një lufte të tërë.

Katër njerëz mund të dënohen. Historia e çlirimit të Kosovës nuk duhet të dënohet bashkë me ta.

Dhe këtu fillon pjesa ime me ty.

Të kam njohur shumë përpara se emri yt të lidhej me Presidencën, Kryeministrinë apo Hagën. Të kam njohur kur ishe pjesë e një brezi që kishte humbur besimin se Kosova mund të priste pafund. Kishe ardhur nga Drenica, nga një familje ku historia e rezistencës ishte pjesë e jetës dhe ku burgu politik dhe mërgimi nuk ishin nocione abstrakte. Prindërit e tu kishin dashur të bëheshe mjek. Ti zgjodhe historinë.

Më vonë u bëre pjesë e saj në mënyrën më të drejtpërdrejtë. Kalove kufij, organizove njerëz, armë dhe furnizime në një kohë kur çdo kalim ishte rrezik real. Ke rrëfyer për karvanë luftëtarësh, për kuaj të ngarkuar me armatim dhe për furnizime që futeshin në Kosovë nëpër male.

Në atë kohë asnjëri nuk kishte garanci për fundin. NATO nuk ishte një premtim i sigurt. Mbijetesa e UÇK nuk ishte e sigurt. Largimi i Serbisë nuk ishte i sigurt dhe pavarësia ishte ende një qëllim për të cilin duhej luftuar politikisht dhe ushtarakisht. Njerëzit që hynë në atë luftë nuk e dinin si do të përfundonte ajo.

Rambujeja ishte një nga momentet kur jeta jote ndryshoi përfundimisht. Brenda pak ditësh amerikanët dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kuptuan se pa përgjigjen tënde marrëveshja nuk mund të ecte. James Rubin dhe Christopher Hill të shihnin si njeriun kyç të delegacionit dhe presioni mbi ty u bë i jashtëzakonshëm.

Madeleine Albright të fliste për paqen, për transformimin e UÇK dhe për kalimin nga lufta në politikë. Nga njëra anë ishte Amerika dhe nga ana tjetër ishin njerëzit me të cilët kishe hyrë në luftë dhe që nuk ishin gati të pranonin lehtë çarmatosjen dhe transformimin. Dokumentet e asaj kohe tregojnë peshën që kishte rënë mbi një njeri rreth të tridhjetave, i cili duhej të merrte një vendim që mund të ndryshonte drejtimin e luftës.

Ti kërkove dy javë. Doje të ktheheshe, të flisje me njerëzit e luftës dhe t’u shpjegoje se nënshkrimi nuk ishte domosdoshmërisht fundi i qëllimit për të cilin kishin luftuar. Dokumenti i Rambouillet regjistroi pranimin në parim, konsultimin me strukturat politike dhe ushtarake dhe kthimin për nënshkrim.

Pastaj u ktheve në Kosovë nëpër male. Dy tentativa dështuan dhe vetëm në të tretën arrite ta kaloje kufirin. Kur po ktheheshe, nuk ishe më vetëm një nga njerëzit e UÇK. Po ktheheshe si drejtues politik, mbi të cilin tashmë rëndonte një pjesë e madhe e përgjegjësisë për atë që do të vinte.

Kur filluan bombardimet e NATO, Wesley Clark të kishte pyetur sa gjatë mund të mbijetonte UÇK. Ti i ishe përgjigjur se do të mbijetonte në çdo rrethanë. Por ajo që erdhi më pas ishte periudha më e rëndë e luftës, me eksod, vrasje, zhvendosje dhe një strukturë ushtarake që përpiqej të mbijetonte nën presionin e forcave serbe.

Më 17 qershor 1999 u ktheve drejt Kosovës me helikopter. Në librin tonë ka një pamje që më ka mbetur në mendje. Rrije dhe shikoje nga dritarja tokën poshtë teje. Kishin kaluar vetëm pak vite nga dita kur kishe lënë Zvicrën për t’u kthyer në luftë, ndërsa tani po hyje në një Kosovë ku forcat serbe po largoheshin. Shumë prej atyre që kishin nisur atë rrugë nuk kishin arritur ta shihnin atë ditë.

Pastaj erdhi politika. Ajo kishte fitore, humbje, gabime dhe kompromise. Krijove parti, humbe zgjedhje, fitove zgjedhje, u bëre Kryeministër dhe më 17 shkurt 2008 lexove në Kuvend deklaratën me të cilën Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran.

Hashim, miqësia jonë nuk ka qenë asnjëherë marrëdhënie servilizmi. Kemi qenë shumë miq dhe kemi pasur shumë mospajtime. Shpesh kemi menduar njësoj për qëllimin dhe kemi pasur dallime për strategjinë, për njerëzit, për pushtetin dhe për mënyrën si duhej mbrojtur Kosova politikisht. Kjo nuk e ka zvogëluar miqësinë tonë. E ka bërë reale.

Një nga ditët më të vështira të kësaj miqësie nuk ndodhi gjatë luftës. Ndodhi shumë vite më vonë, në një mëngjes kur mora mbi vete një përgjegjësi që nuk doja ta kisha.

Duhej t’ju tregoja ty dhe Kadriut se aktakuza po vinte.

Mund të prisja dhe mund t’ia lija dikujt tjetër. Nuk e bëra. Mendova se një lajm i tillë duhej thënë drejtpërdrejt dhe se një mik kishte detyrimin ta shikonte mikun e vet në sy kur ia thoshte.

Shkova të të takoja dhe ta thashë atë që nuk doja të ta thosha. Gjykata Speciale po afrohej te ti dhe aktakuza do të ngrihej. Një mekanizëm që Kosova e kishte krijuar dhe të cilin ti e kishe mbështetur në emër të detyrimeve të shtetit po vinte te një nga njerëzit që kishte qenë në krye të atij shteti.

Më kujtohet sa e vështirë ishte të të shikoja në sy. Por më shumë se vështirësia ime më ka mbetur në kujtesë mënyra si e përjetove lajmin.

Ishte një përjetim i rëndë dhe dinjitoz. Nuk kishte teatër dhe nuk kishte përpjekje për ta mohuar realitetin. Kishte një qetësi që e bëri edhe më të rëndë atë mëngjes për mua.

Nuk të pyeta çfarë po mendoje në ato minuta. Ndoshta sepse në disa momente mes miqve nuk ka nevojë për pyetje. Fytyrën tënde të atij mëngjesi nuk e kam harruar.

Sot, kur të pashë duke dëgjuar vendimin, më erdhi në mendje pikërisht ajo fytyrë.

Shumë përpara atij mëngjesi kishte ndodhur diçka tjetër që nuk më është larguar nga mendja. Në vitin 2017, në një bisedë të nivelit shumë të lartë ndërkombëtar, për të cilën edhe sot kam detyrimin të ruaj konfidencialitetin e njerëzve që më besuan, ishte ngritur pyetja se çfarë do të ndodhte në Kosovë nëse Presidenti i saj dhe një nga drejtuesit kryesorë të institucioneve do të akuzoheshin dhe do të përfundonin në burg.

Atëherë nuk kishte aktakuzë publike dhe nuk kishte arrestime. Nuk e mora atë pyetje si provë se dikush e kishte vendosur paraprakisht verdiktin dhe as sot nuk e paraqes kështu. Nuk kam një provë të tillë dhe nuk dua t’i jap një bisede kuptim që ajo nuk mund ta provojë.

Por ajo pyetje më tronditi, sepse më bëri të kuptoj se skenari i arrestimit të njerëzve që ndodheshin në majën e shtetit po diskutohej seriozisht në nivele ku publiku nuk kishte asnjë qasje.

Atë ditë nuk e dija fundin. Por për herë të parë kuptova drejtimin.

Prej atij momenti nuk e pashë më Gjykatën Speciale vetëm si një institucion juridik që ishte krijuar dhe që një ditë do të hetonte raste të caktuara. E kuptova se ajo mund të arrinte deri në majën politike të Kosovës.

Pastaj më ra mua barra të ta thosha.

Kjo është një prej ironive më të rënda të jetës sate politike.

Gjykata ishte krijuar përmes amendamentit kushtetues dhe ligjit të miratuar nga Kosova në vitin 2015, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe nën mbështetje dhe presion të fortë nga aleatët perëndimorë. Institucionet amerikane e mbështetën publikisht vazhdimin e mandatit të saj kur në vitin 2017 u tentua shfuqizimi.

Ti ishe një nga njerëzit që e mbështete atë proces.

Unë e di bindjen që kishe. Për ty raporti me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin ishte interes i Kosovës dhe nuk duhej të prishej edhe kur çmimi politik ishte i madh. Mund të diskutohet nëse çdo vendim i marrë mbi këtë bindje ka qenë i drejtë. Por nuk mund të mohohet se kjo ka qenë një prej bindjeve që ka drejtuar një pjesë të rëndësishme të jetës sate politike.

Dhe sot mekanizmi që Kosova pranoi ta krijonte, dhe që ti e mbështete si pjesë të përgjegjësive ndërkombëtare të shtetit, të dënoi me 25 vjet burgim.

Ky është një paradoks që nuk ka nevojë për zbukurim.

Ti u largove nga posti i Presidentit në nëntor të vitit 2020 dhe shkove në Hagë. Prej atëherë kanë kaluar pothuajse gjashtë vjet. Ke qenë larg Kosovës, larg familjes dhe larg jetës që kishe ndërtuar. Procesi ka përfshirë 134 dëshmitarë dhe vite të tëra provash, mbrojtjeje dhe argumentesh.

Sot erdhi vendimi.

Nuk po e përdor miqësinë tonë për të thënë se gjykata nuk ka të drejtë të dënojë një njeri kur vërteton përgjegjësi penale. Po aq nuk mund ta përdor vendimin e gjykatës për të harruar tridhjetë vjet histori që kanë ndodhur përpara tij.

Një aktgjykim mund të vendosë për përgjegjësinë penale të Hashim Thaçit. Nuk mund ta fshijë Rambujenë. Nuk mund ta fshijë kthimin në Kosovë. Nuk mund ta fshijë transformimin e UÇK. Nuk mund ta fshijë 17 shkurtin dhe nuk mund ta bëjë sikur një epokë e tërë nuk ka ekzistuar.

Gjykata ka mandatin e saj. Historia ka një mandat tjetër.

Dhe këtu kam edhe një fjalë për Kosovën.

Ka qenë një kohë kur shumë më pak njerëz qëndronin publikisht pranë teje kur Gjykata Speciale po afrohej. Sot janë bërë shumë më tepër. Mirë është që janë bërë më shumë. Njerëzit kanë të drejtë të ndryshojnë mendim dhe kanë të drejtë të ndiejnë dhimbje kur një ish President i vendit të tyre merr një dënim të rëndë.

Por unë kam kujtesë.

Kam parë njerëz që e kërkuan Gjykatën. Kam parë njerëz që kërkuan largimin tënd. Kam dëgjuar njerëz që e trajtuan aktakuzën si vendim përfundimtar shumë përpara se të fliste gjykata. Kam parë njerëz që politikisht e kishin dhënë dënimin tënd shumë përpara ditës së sotme.

Sot disa prej tyre flasin me dhimbje për historinë tënde.

Më vjen keq kur e shoh këtë.

Jo sepse një kundërshtar nuk ka të drejtë të ndryshojë mendim. Ka të drejtë. Jo sepse dikush që e ka mbështetur Gjykatën nuk mund të tronditet nga gjuha e aktgjykimit. Mundet.

Por ndryshimi i mendimit kërkon edhe përgjegjësi ndaj asaj që ke thënë dje.

Nuk mund të kërkosh për vite që Hashim Thaçi të shkojë në Hagë, ta përdorësh politikisht shkuarjen e tij, ta shpallësh moralisht të dënuar përpara procesit dhe pastaj sot të sillesh sikur kjo histori ka ardhur nga askund.

Këtu ka shumë hipokrizi.

Dhe kjo më shqetëson më shumë për Kosovën sesa për ty.

Sepse një shoqëri nuk bëhet më e ndershme kur ndryshon kujtesën sipas nevojës së ditës. Njeriu mund të thotë se atëherë ka besuar diçka dhe se sot e sheh ndryshe. Kjo është ndershmëri. Por të harrosh që dje e doje largimin e një njeriu dhe sot të dalësh në radhën e parë për të vajtuar historinë e tij është diçka tjetër.

Ka pasur një kohë kur ishim shumë më pak njerëz pranë teje.

Sot janë shumë.

Nuk më pengon që janë shumë. Përkundrazi, do të doja që Kosova ta kuptonte se mbrojtja e historisë së luftës nuk kërkon mohimin e asnjë viktime dhe as kundërshtimin e drejtësisë.

Por nuk dua që kujtesa të kthehet në spektakël.

Unë nuk kam nevojë ta ndryshoj biografinë time sot.

Kemi qenë shumë miq. Kemi pasur pajtime dhe mospajtime të forta. Kemi menduar njësoj për shumë gjëra dhe ndryshe për strategjinë e tyre. Jemi afruar dhe jemi larguar. Kemi debatuar për njerëz, pushtet dhe vendime. Asnjë nga këto nuk e ka ndryshuar atë që kemi kaluar bashkë.

Asnjë post që ke marrë nuk të ka bërë mikun tim.

Prandaj as humbja e çdo posti nuk mund ta heqë atë miqësi.

Kryeministria nuk e ka krijuar.

Presidenca nuk e ka forcuar.

Haga nuk mund ta shkatërrojë.

Sot një gjykatë dha verdiktin e saj për përgjegjësinë tënde penale. Procesi do të vazhdojë dhe historia do të vazhdojë gjithashtu.

Unë nuk po jap një verdikt tjetër.

Po them vetëm atë që di nga jeta ime.

Ti mbetesh miku im.

Asnjë post që ke pasur, asnjë post që ke humbur, asnjë vendim dhe as historia vetë nuk mund ta ndryshojnë atë që kemi kaluar bashkë.

Batoni