Rritja e pagave të gjyqtarëve, Bardhi “sulmon” projektligjin: Është shkelur vendimi i Këshillit të Legjislacionit

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ka diskutuar projektligjin për rritjen e pagave të gjyqtarëve, ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kritikuar mënyrën se si është hartuar dhe sjellë nisma në Kuvend.

Gjatë mbledhjes, Bardhi deklaroi se projektligji është paraqitur pa konsultim me grupet e interesit, ndërsa pretendoi se është shkelur edhe një vendim i Këshillit të Legjislacionit.

“Dy kolegët e kanë sjellë këtë ligj pa asnjë proces konsultimi me grupet e interesit. Gjithashtu, mënyra se si vjen ky ligj, është shkelur një vendim i Këshillit të Legjislacionit”, tha Bardhi.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Bardhi lidhej me autorësinë dhe hartimin e projektligjit. Sipas tij, në relacion thuhet se nisma është hartuar nga një punonjës i administratës së Kuvendit.

“Gjithashtu, thuhet në relacion se projektligji është hartuar nga një punonjës i administratës së Kuvendit. Dhe kjo është shkelje e rëndë. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk mund ta adresoni as ju të dy si deputetë dhe asnjë punonjës i administratës. Prandaj është Këshilli i Legjislacionit dhe përbëhet nga 10 juristë me eksperiencë. Nuk është kaq e thjeshtë të adresohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese”,- tha Bardhi.

The post Rritja e pagave të gjyqtarëve, Bardhi “sulmon” projektligjin: Është shkelur vendimi i Këshillit të Legjislacionit appeared first on GIJOTINA.