Përplasja e Ramës me drejtësinë! Ka për qëllim të shpërqendrojë vëmendjen nga protestat!

Kryeministri Edi Rama e nisi javën me një sulm publik ndaj gjyqtarëve për çështjen e përllogaritjes së pagave të tyre, pasi mazhoranca që ai drejton zvarriti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

“Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat dhe kjo “i kemi mbledhur vetë” është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit,” shkruajti Rama në platformën X, duke komentuar një intervistë në media të kryetarit të Shoqatës së Gjyqtarëve, Engert Pëllumbi.

Gjyqtarët dhe prokurorët janë një target i preferuar për kryeministrin Edi Rama gjatë viteve të fundit, pavarësisht çështjeve të ndryshme me të cilat ai angazhohet në debat. Në konfliktin e fundit për pagat, kryeministri u përpoq ta devijonte debatin nga detyrimi për të zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese tek pagat e larta të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri.

Konflikti nisi pasi ministria e Financave dhe drejtoritë e Thesarit të Shtetit refuzuan të alokonin pagat për muajin gusht për të gjithë magjistratët në sistemin e drejtësisë, sipas një përllogaritje të re për këto paga të bëra nga Këshillat bazuar mbi një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Në retorikën e Kryeministrit, gjyqtarët shqiptarë paraqiten si një kategori e mbipaguar dhe rritja e mëtejshme e pagave do të përbënte një barrë për buxhetin e shtetit dhe tejkalimin me dhjetrafish të pagave në krahasim me sektorë të tjerë.

Por për analistët e politikës, kryeministri po e përdor këtë retorikë për të sulmuar organet e drejtësisë për arsye politike dhe po tenton të devijojë ‘urrejtjen e publikut’, që prej më shumë se 100 ditësh protesta është e fokusuar drejt qeverisë së tij.

Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politika i tha BIRN se Kryeministri ka dy synime që nuk lidhen me zgjidhjen e problemit, por me agjenda paralele të tij.

Së pari, sipas tij, ai kërkon ta përdorë rastin për presion ndaj drejtesisë, që ka nxitur dhe një fushatë denigruese nga militantët dhe ndjekësit e tij.

“Një tregues ky i rëndësishëm në kushtet kur SPAK do të duhet të marrë vendime lidhur me imunitetin e zv/kryeministres, me hetimet e Zvërnecit dhe dosjet e tjera VIP,” thotë Krasniqi.

Po ashtu, shton ai, “Rama kërkon ta zhvendosë vëmendjen e medias dhe publikut nga debati për skandalet dhe kritikat për keqqeverisje dhe korrupsion tek debati monolog kundër drejtësisë”.

Krasniqi e quan këtë një ‘debat monolog’, pasi kryeministri po ndan komente e shënime publike kundër një sistemi, i cili nuk i përgjigjet sepse është kolektiv, është diskret dhe vepron me akte ligjore.

Ndërsa Neritan Sejamini i konsideron sulmet e kryeministrit ndaj organeve të drejtësisë si një taktikë për të devijuar debatin dhe vëmendjen publike nga protestat e përditshme qytetare që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.

“Unë mendoj që është thjesht taktikë për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet e tij dhe për të krijuar një shënjestër tjetër për të kanalizuar urrejtjen publike edhe diku tjetër përveç tij,” tha Sejamini.

Në muajin shkurt, Gjykata Kushtetuese konstatoi se formula e përdorur për llogaritjen e pagave të magjistratëve kishte sjellë një “ulje të fshehtë” të pagës dhe urdhëroi Kuvendin të miratonte ndryshimet e nevojshme ligjore për përshtatjen e pagave me standardet kushtetuese. Gjykata përcaktoi si afat të fundit datën 31 korrik 2026, ndërsa efektet financiare duhej të shtriheshin që nga 1 prilli 2023. Megjithatë, deri në përfundimin e këtij afati Kuvendi nuk ndërmori ndryshimet e kërkuara, duke lënë të pazgjidhur edhe mënyrën e përllogaritjes së pagave nga 1 gushti e në vijim.

Në muajin gusht, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke interpretuar karakterin detyrues të vendimit, vendosën që të përcaktojnë pagat e gjyqtarëve sipas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese me një pagë bazë referuese prej 222 mijë lekësh dhe 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin, si dhe kompensimin e rritjes së munguar që nga prilli 2023.

Në vend që konflikti të mbetej një çështje e zbatimit të një vendimi kushtetues, debati është shndërruar në një përplasje publike mes kryeministrit dhe gjyqësorit, pasi Ministria e Financave refuzoi të zbatonte formulën e pagave sipas vendimit të KLGJ-së duke sjellë si pasojë paditjen e ministrit dhe drejtorëve të Thesarit në gjykatë.

Sipas Krasniqit, kryeministri e shmang pikërisht thelbin e këtij problemi që lidhet me pyetjen se pse mazhoranca dhe Kuvendi nuk zbatojnë vendimet e Gjykates Kushtetuese.

“Respektimi i këtij parimi dhe i detyrimeve kushtetuese do të kishte evituar krizën, debatin dhe koston e qytetarëve për shkak të tyre,” vlerëson Krasniqi.

Nga ana tjetër, Krasniqi vlerëson se KLGj dhe KLP u nxituan në vendimmarrjet e tyre, pa informuar publikun dhe pa ndjekur më parë instrumentet e tjera.

“Me të njëjtin pasion, shpejtësi e profesionalizëm që drejtësia mbrojti të drejtat e veta kushtetuese në rastin e rrogave duhet të mbrojë edhe interesin publik kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë, pra të trajtojë rastet VIP dhe të dëshmojë se procesi i llogaridhënies, barazisë përpara ligjit dhe përballjes me pasojat e abuzimit e shkeljes se ligjit ështe i pakthyeshëm dhe i garantuar,” përfundoi ai.

The post Përplasja e Ramës me drejtësinë! Ka për qëllim të shpërqendrojë vëmendjen nga protestat! appeared first on GIJOTINA.