Pak orë para vendimit për ish-krerët e UÇK-së, në Hagë mblidhen shqiptarët, në Prishtinë ndizen “Flakët e Lirisë”

Qindra shqiptarë janë mbledhur para objektit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në prag të shpalljes së vendimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vendimi për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi pritet të shpallet më 16 shtator.

Pak orë para shpalljes së aktgjykimit në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prishtinë është ndezur për herë të fundit “Flaka e Lirisë”.

Aktiviteti është zhvilluar në sheshin e kryeqytetit, përpara ekranit të madh ku janë shfaqur portretet e katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në këtë shesh, qytetarët pritet të mblidhen edhe nesër për të ndjekur shpalljen e verdiktit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Disa prej të pranishmëve kanë shprehur gatishmërinë për të qëndruar gjatë gjithë natës në sheshin e Prishtinës, deri në momentin kur nesër do të shpallet aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Qytetarë nga Kosova, por edhe nga vende të ndryshme të Evropës, kanë udhëtuar drejt Hagës për të qenë të pranishëm gjatë ditës së vendimit.

Para godinës së Dhomave të Specializuara janë parë flamuj të UÇK-së, ndërsa të pranishmit kanë shprehur mbështetjen e tyre për katër ish-krerët e UÇK-së.

 

 

Nderkohe, atmosfera në kryeqytetin e Kosovës mbetet e ngarkuar me emocione, ndërsa vendimi i Hagës pritet me vëmendje të madhe nga qytetarët, familjarët dhe mbështetësit e të akuzuarve.

Gjithashtu drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka njoftuar për vendosjen e simbolit të UÇK-së “te rrethin” e Prishtinës.

Retkoceri ka publikuar edhe video nga vendosja e simbolit, duke e shoqëruar me një mesazh në pritje të vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.

“Sot, mbi Prishtinë valon simboli i lirisë sonë. Në pritje të drejtësisë. Në nderim të UÇK-së. Në emër të lirisë”, ka shkruar Retkoceri.

gijotina.com/

The post Pak orë para vendimit për ish-krerët e UÇK-së, në Hagë mblidhen shqiptarët, në Prishtinë ndizen “Flakët e Lirisë” appeared first on GIJOTINA.