Ndahet nga jeta Prof. Dine Abazi, ish-presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë

Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare Prof. Dine Abazi, mjeku dhe ish-presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë. Një prej figurave të njohura të komunitetit mjekësor shqiptar, Dine Abazi, për vite me radhë kontribuoi në sistemin shëndetësor dhe në përfaqësimin e profesionistëve të mjekësisë.

Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje për familjen, kolegët dhe komunitetin e mjekëve shqiptarë.

Kush ishte mjeku Dine Abazi

Prof. Dine Abazi ka qenë mjek dhe drejtues i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë; në vitin 2015 përfundoi mandatin si president, pas dy mandatesh radhazi.

Dokumentet e OKB-së e listojnë Dine Abazin si këshilltar (Conseiller) në delegacionin shqiptar në një konferencë ndërkombëtare.

Në vitet 2014–2015, në cilësinë e drejtuesit të Urdhrit të Mjekëve, ai u shpreh publikisht për çështje të sistemit shëndetësor dhe testimin e mjekeve.

Biografia

Dr. Din Ahmet Abazi (1938)

Lindur në një familje fshatare të varfër. Të parët e tij janë dalluar për atdhedashuri, trimëri dhe bujari. Babai, Ahmeti dhe vëllezërit e tij Beka, Ibrahimi dhe Mustafa kanë marrë pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, kurse xhaxhai Xhemalji është vrarë në luftë për çlirimin e Gjakovës dhe është shpallur dëshmor i atdheut.

Edhe Dini i edukuar në këtë vatër familjare është karakterizuar nga dashuria për njerëzit, thjeshtësia, zgjuarsia, ndershmëria dhe dëshira për dituri.

Në vitin 1967 u diplomua në mjekësi, mjek i përgjithshëm dhe u caktua mjek ushtarak në Degën e Punëve të Brendshme Ersekë. Për aftësi të mira profesionale caktohet në vitin 1971 në poliklinikën speciale të udhëheqjes së Partisë së Punës së Shqipërisë në Tiranë.

Në vitin 1987 dhe deri në vitin 1992 ka qenë drejtor i kësaj poliklinike i specializuar kardiolog dhe nga viti 1992 e deri në vitin 1997 ka shërbyer mjek kardiolog në poliklinikën nr. 3 Tiranë. Kurse nga viti 1997-1998 zv. ministër i shëndetësisë.

Që nga viti 1999 dhe deri në vitin 2005 kryen detyrën e Presidentit të Këshillit Kombëtar të mjekëve të Shqipërisë. Kudo ku ka punuar Dini ka qenë njeri i respektuar nga të gjithë ata shokë pune dhe jashtë saj, jo vetëm si mjek por edhe si njeri shumë i sjellshëm me njerëzit e të gjitha moshave apo shtresave të ndryshme të shoqërisë. Është njeri shumë i qetë, gjakftohtë, shumë i lidhur me punën dhe njerëzit. Figura e tij është e mbetet model pune e sjellje për të gjithë.

The post Ndahet nga jeta Prof. Dine Abazi, ish-presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë appeared first on GIJOTINA.