Dita e parë e vitit të ri shkollor ka nisur me trafik të rënduar në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.
Fluksi i lartë i automjeteve është shkaktuar edhe nga prindërit, të cilët kanë zgjedhur t’i shoqërojnë fëmijët e tyre me makinë në ditën e parë të shkollës. Kjo ka sjellë vështirësi të mëdha në qarkullim dhe bllokim të disa prej rrugëve kryesore të Tiranës.
Situata paraqitet e rënduar që në hyrje të kryeqytetit. Në zonën e Kthesës së Kamzës, qarkullimi është paralizuar, ndërsa trafik i rënduar raportohet edhe në Unazën e Madhe dhe përgjatë aksit që shtrihet deri në Paskuqan.
Por në rrugët e kryeqytetit, krahas nxënësve dhe prindërve, janë edhe mijëra punonjës që duhet të shkojnë në vendet e tyre të punës, si çdo ditë tjetër.
Të bllokuar prej trafikut, disa prej tyre thonë se rrezikojnë të humbasin ditën e punës, ndërsa pasiguria mbetet e madhe për kohën se kur do të mund të mbërrijnë në destinacion.
Kështu, dita e parë e shkollës ka sjellë jo vetëm emocionet e nisjes së një viti të ri për nxënësit, por edhe kaos në qarkullimin rrugor në disa prej hyrjeve dhe akseve kryesore të Tiranës.
The post Tirana “zgjohet” në trafik/ Radhë kilometrike në Unazën e Madhe, nisja e vitit shkollor shton fluksin appeared first on GIJOTINA.