I mbijetoi Auschwitzit dhe jetoi 107 vjet, ndahet nga jeta i mbijetuari më i vjetër i Holokaustit në Izrael

Yehuda Aharon Widawski, i konsideruar si i mbijetuari më i vjetër i Holokaustit në Izrael, është ndarë nga jeta në moshën 107-vjeçare.

Widawski, i lindur në Poloni në vitin 1919, vdiq të dielën, njoftuan mediat izraelite dhe Memoriali dhe Muzeu Auschwitz-Birkenau. Ai ishte ndër të mbijetuarit e kampit të përqendrimit Auschwitz, ndërsa pjesa më e madhe e familjes së tij u vra gjatë pushtimit nazist.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Widawski emigroi në Izrael në vitin 1950, ku ndërtoi jetën e tij të re.

Presidenti izraelit Isaac Herzog shprehu ngushëllimet e tij për familjen e Widawskit, duke e cilësuar jetën e tij si “një dëshmi e admirueshme për triumfin e jetës, kujtesës dhe një fillimi të ri”.

Nazistët vranë rreth 6 milionë hebrenj në Evropë gjatë Holokaustit.

Sipas të dhënave të publikuara nga një agjenci qeveritare izraelite në prill, rreth 109 mijë të mbijetuar të Holokaustit jetonin ende në Izrael.