“Afera KAYO godet procesin e integrimit”, Tabaku: “Sistemi Rama” po pengon të ardhmen europiane

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka publikuar një tjetër video në rrjetet sociale, ku analizon pasojat që, sipas saj, ka afera KAYO në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Tabaku argumenton se procedurat e ndjekura në sektorin e mbrojtjes dhe në tenderat publikë cenojnë parimet e transparencës, konkurrencës dhe shtetit ligjor, të cilat janë në themel të negociatave me Bashkimin Europian.

Sipas saj, çështja KAYO nuk është një rast i izoluar, por shfaqje e mënyrës së funksionimit të sistemit të ngritur nga mazhoranca socialiste, me procedura të centralizuara, mungesë transparence dhe favorizim të një grupi të kufizuar kompanish.

“Ky skandal prek themelet e shtetit dhe evidenton sistemin mbi të cilin ngrihet mazhoranca socialiste”, deklaron Tabaku.

Deputetja demokrate thekson se pasojat e aferës prekin drejtpërdrejt tre kapituj të negociatave dhe, në mënyrë të tërthortë, edhe katër kapituj të tjerë.

Sipas saj, cenohet gjithashtu Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, të cilën ajo e cilëson si “biblën e procesit të integrimit”.

Tabaku rendit një sërë çështjesh që, sipas saj, kanë penguar përparimin e Shqipërisë gjatë viteve të fundit, duke përmendur ligjin për investimet strategjike, koncesionin e porteve, aferën e AKSHI-t dhe çështjen e mandatit të ish-zëvendëskryeministres.

Ajo e lidh mungesën e progresit me një model qeverisjeje që, sipas saj, ka prodhuar korrupsion, kosto më të larta për qytetarët dhe largimin e të rinjve nga vendi.

“Ka vetëm një përgjigje: sistemi Rama. Pa e rrëzuar këtë sistem, nuk ka të ardhme europiane për Shqipërinë”, përfundon Tabaku.

 

 

The post “Afera KAYO godet procesin e integrimit”, Tabaku: “Sistemi Rama” po pengon të ardhmen europiane appeared first on GIJOTINA.