Opozita kundërshton Qeverinë e re të Kosovës: U zgjodh nga një Kuvend i konstituuar pa nënkryetarin e PDK-së! Kurti thirrje Hamzës: Të mos humbim kohë me procedura!

Kosova ka zyrtarisht Qeverinë e re, por vetëm pak orë pas votimit të kabinetit të Albin Kurtit ka nisur edhe ‘beteja’ për kushtetutshmërinë e institucioneve të reja.

Opozita ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ndërsa nënkryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Kujtim Shala, deklaroi se Qeveria është zgjedhur nga një Kuvend i pakonstituuar.

Qeveria e re e Kosovës mori votëbesimin me 62 vota pro dhe 8 kundër, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, pasi më herët gjatë ditës Albulena Haxhiu mandatoi Albin Kurtin për formimin e kabinetit të ri.

Në sallë ishin të pranishëm 70 deputetë. Për Qeverinë votuan deputetët e Vetëvendosjes dhe 9 deputetë të komuniteteve joshumicë, tetë nga pakicat joserbe dhe nga Nenad Rashiq i pakicës serbe, ndërsa PDK, LDK dhe Aleanca bojkotuan seancën. u mbështet edhe nga n

Kurti prezantoi programin qeverisës dhe kabinetin e ri. Glauk Konjufca u emërua zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, ndërsa Arben Vitia u rikthye në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në fjalimin e tij, Kurti tha se prioritet i mandatit të ri do të jetë rritja e mirëqenies së qytetarëve.

“Sot ky mandat është për ta kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit”, deklaroi ai.

Fjalimin e hapi me një mesazh për ish-drejtuesit e UÇK-së që presin vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

“Këto ditë të gjithë jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së… Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, u shpreh Kurti.

Votimi i Qeverisë erdhi vetëm pak orë pasi Kuvendi u shpall i konstituuar. Seanca konstituive u zhvillua pa deputetët e PDK-së, e cila kishte pezulluar kandidaturën e Vlora Çitakut për postin e nënkryetares dhe kishte njoftuar se nuk do të merrte pjesë në punimet e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Pavarësisht kësaj, Kuvendi vijoi procedurat. Kujtim Shala u zgjodh nënkryetar nga radhët e LDK-së, ndërsa më pas u zgjodhën edhe nënkryetarët që përfaqësojnë komunitetet. Pas përfundimit të votimeve, Albulena Haxhiu shpalli të konstituuar Kuvendin.

Megjithatë, vetëm pak orë më vonë, vetë nënkryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Kujtim Shala, vuri në pikëpyetje vlefshmërinë e procesit.

“Qeverinë e zgjodhi një Kuvend i pakonstituuar, prandaj ajo nuk është një qeveri kushtetuese”, deklaroi ai.

Në të njëjtën linjë, PDK akuzoi Vetëvendosjen për shkelje të Kushtetutës, ndërsa deputeti Përparim Gruda bëri të ditur se partia do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar konstituimin e Kuvendit dhe vendimet e marra prej tij. Edhe Aleanca e cilësoi procesin jokushtetues.

Nga ana e tij, Kurti i bëri thirrje PDK-së që të propozojë sa më shpejt kandidatin për nënkryetar të Kuvendit, duke theksuar se institucionet duhet të vazhdojnë punën.

“Është e domosdoshme që të punojmë e të mos humbim kohë me procedura e me ndërskamca. E ftoj Partinë Demokratike të Kosovës që të vijë sa më shpejt ta propozojë kandidatin për nënkryetar dhe të punojmë bashkë në komisionet parlamentare”, deklaroi ai.

Pas votimit të Qeverisë, sfida e radhës për institucionet e reja mbetet zgjedhja e Presidentit të Kosovës. Për zgjedhjen e kreut të shtetit nevojiten të paktën 80 vota në Kuvend, ndërsa nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, vendi shkon në zgjedhje të reja.