Kosova po voton Qeverinë e re. Pas konstituimit të Kuvendit paraditen e së dielës dhe mandatimit të Albin Kurtit për formimin e kabinetit, 70 deputetë u mblodhën në seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e ekzekutivit të ri. Për formimin e Qeverisë nevojiten të paktën 61 vota. Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë bojkotuar edhe këtë seancë, duke e konsideruar procesin jokushtetues.
Pak orë më parë, Kuvendi i Kosovës u konstituua pas zgjedhjes së nënkryetarëve. Seanca u zhvillua pa praninë e deputetëve të PDK-së, e cila kishte njoftuar më herët se nuk do të merrte pjesë në punimet e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese për procesin e konstituimit.
Në një komunikatë, PDK akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të afateve kushtetuese dhe kundërshtoi lidhjen e zgjedhjes së nënkryetarëve me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke deklaruar se “Kushtetuta nuk është pazar politik”.
Gjatë seancës, PDK i dërgoi Albulena Haxhiut një shkresë me të cilën pezulloi kandidaturën e Vlora Çitakut për postin e nënkryetares së Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke sqaruar se nuk heq dorë nga e drejta për këtë post.
Pavarësisht bojkotit, Kuvendi vijoi procedurat. Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit me 85 vota pro. Më herët ishte zgjedhur edhe Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa kandidatët e Listës Serbe, Slavko Simiç, Igor Simiç dhe Liliana Stefanoviç, nuk siguruan votat e nevojshme.
Në vijim u zgjodhën edhe nënkryetarët që përfaqësojnë komunitetet. Tanja Vujoviç u zgjodh nënkryetare nga komuniteti serb, ndërsa Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga komunitetet joshumicë. Pas përfundimit të votimeve, Albulena Haxhiu shpalli të konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, Albulena Haxhiu mandatoi Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re. Pas marrjes së mandatit, Kurti dorëzoi për votim programin qeverisës dhe përbërjen e kabinetit, ndërsa Kuvendi u mblodh sërish në seancë të jashtëzakonshme.
Pas qeverisë, sfida tjetër e radhës mbetet zgjedhja e presidentit, për të cilën nevojitet mbështetja e të paktën 80 deputetëve në Kuvend.
Më 31 gusht, LVV-ja dhe LDK-ja arritën një marrëveshje për të mbështetur kandidaturën e përbashkët të Bekim Sejdiut për president.
Por kjo kandidaturë shkaktoi përplasje brenda LDK-së teksa 6 nga 18 deputetët e saj kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin atë kandidaturë.