Vajza e Sali Mustafa-Calit, Buna, të vetmit nga ish-komandantët i cili është dënuar me vendim të formës së prerë, tha para marshuesve se UÇK ishte domosdoshmëri historike, siç i ati shprehej. Ndërsa renditi masakrat e Serbisë ndaj popullit të Kosovës, ajo tha se mbeten të pastër para drejtësisë.
Buna u shpreh se refuzon ta paralelizojë luftën e Kosovës për liri me dhunën dhe gjenocidin e xhelatëve serbë.
“Sot jemi mbledhur këtu në emër të luftës sonë të pastër, të mbrojtjes së historisë sonë shumëvjeçare, në përpjekjen tonë të palëkundur për liri. Ditët po kalojnë, vitet po ndërrojnë, mendjet po kthjellohen dhe e vërteta po ndriçohet se UÇK nuk ka qenë rastësi, or domosdoshmëri historike. Një ushtri që u zgjua nga populli dhe krijoi uniformën e vet me të cilën nuk terrorizoi asnjë civil, nuk dhunoi e abuzoi me asnjë grua. Serbi na shkaktoi mbi 13 mijë viktima civile, vrau e masakroi 1400 fëmijë, abuzoi 20 mijë nëna e motra, zhduku 1500 bashkëqytetarë, dhimbjen e të cilëve, familjet e tyre nuk mund ta shuajnë. Kreu 400 masakra, varreza masive, dëme kolosale materiale. Hendeku është aq i madh sa drejtësia e vërtetë s’mund të barazojë kurrë ushtarët dhe çlirimtarët me xhelatët serbë! S’mund të barazojë ata që sollën lirinë me ata që kryen gjenocid. Para drejtësisë së vërtetë do të jemi gjtihmonë të pastër. Të hapësh me pazaret e Evropës luftën tonë është si të luash dorën e djallit. Ata po mundohen të godasin themelet e lirisë sonë duke kryqëzuar ushtarët e lirisë. Disa edhe vdiqën që ne të gjallët që jemi këtu, të jetojmë me dinjitet. Ata njohën luftën dhe mbajtën lapsin, ashtu si edhe pushkën, sollën lirinë sepse e kishin përjetuar robërinë. Ata ishin njerëzit e duhur në momentin e duhur, në një histori 100 vjeçare të përpjekjeve për autonomi. Fjalimin tim dua ta përmbyll me thënien e babait tim: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e domosdoshme dhe e pashmangshme! Çlirimtarë, ju presim!”, përfundoi vajza e Sali-Mustafës.