U arrestua në Athinë/ Identifikohet shqiptari i akuzuar për vrasje, i gjenden 2 milionë euro në banesë

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me arrestimin e një shqiptari dy ditë më parë në Athinë. Mësohet se i arrestuari është identifikuar si Lulëzim Caka ndërsa në Shqipëri rezulton i akuzuar për vrasje.

Ndër të tjera bëhet me dije se pas arrestimit në banesë i janë gjetur dy milionë euro, drogë dhe bizhuteri.

Caka, i njohur si “Lul Caka”, është një prej emrave më të njohur të kronikës së zezë shqiptare të viteve ’90.

Veprimtaria e tij kriminale lidhet kryesisht me zonën Berat-Fier-Lushnjë, në një periudhë kur vendi ishte përfshirë nga kaosi dhe dhuna pas vitit 1997.

Caka u dënua për vrasjen e Pëllumb Eminit, ngjarje e ndodhur më 21 korrik 1997 në Lushnjë.

Një tjetër çështje për të cilën Caka u dënua lidhet me sulmin ndaj dy drejtuesve të policisë, Gani Malushi dhe Ilir Ngresi. Sipas vendimeve të raportuara nga gjykatat, ai u shpall fajtor për tentativën e vrasjes së tyre dhe për armëmbajtje pa leje, duke marrë në total një dënim prej 25 vitesh burgim.

Ngjarja ndodhi në mars 1998, kur Caka akuzohej se i bëri rezistencë të armatosur forcave të policisë.

Për këto episode, ai ka mohuar autorësinë, por dënimi ndaj tij u la në fuqi nga Apeli.

The post U arrestua në Athinë/ Identifikohet shqiptari i akuzuar për vrasje, i gjenden 2 milionë euro në banesë appeared first on GIJOTINA.