“O hajdut!”/ Ish-ministri Ilir Beqaj paraqitet në SPAK, qytetarë e presin me protesta

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur këtë të premte në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku po zhvillohet seanca e radhës për dosjen e koncesionit të sterilizimit.

Beqaj mbërriti në ambientet e gjykatës pa avokat, ndërsa jashtë SPAK-ut u përball me protesta dhe thirrje nga qytetarë të pranishëm.

Mes thirrjeve të drejtuara ndaj ish-ministrit u dëgjuan edhe “O hajdut!” dhe “O legen!”, teksa situata jashtë ambienteve të SPAK-ut u shoqërua me tensione.

Beqaj po përballet në GJKKO me akuzat për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup të strukturuar kriminal, në kuadër të hetimeve për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Procesi ndaj ish-ministrit po zhvillohet veçmas nga procedimi gjyqësor ndaj tetë të pandehurve të tjerë të përfshirë në dosje.

Në një proces të veçantë, ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj, biznesmeni Ilir Rrapaj dhe gjashtë të pandehurit e tjerë janë dënuar me gjykim të shkurtuar. Për Rrjepajn dhe Rrapajn, gjykata ka rrëzuar akuzën për grup të strukturuar kriminal.

Ish-ministri Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024, ndërsa pas rreth 25 muajsh la qelinë. Tashmë ai do të përballet me procesin gjyqësor në GJKKO lidhur me dosjen e sterilizimit.

Çështja lidhet me koncesionin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, një prej procedurave koncesionare që prej vitesh është nën hetimin e autoriteteve të drejtësisë shqiptare.

The post “O hajdut!”/ Ish-ministri Ilir Beqaj paraqitet në SPAK, qytetarë e presin me protesta appeared first on GIJOTINA.