KAYO dhe partneritetet me privatët, zv.ministrja e Mbrojtjes: U krijua për nevojat e Shqipërisë, akuzat të verifikohen

Zv.ministrja e Ministrisë së Mbrojtjes, Blerina Abrazhda, në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu për Opinion, ka shpjeguar arsyet e krijimit të KAYO-s dhe mënyrën se si kjo kompani bashkëpunon me Ministrinë e Mbrojtjes dhe operatorët ekonomikë. Sipas Abrazhdës, krijimi i KAYO-s lidhet me nevojat operacionale të ushtrisë shqiptare.

“Nevojat operacionale që ka ushtria shqiptare i kalohen Ministrisë, disa nga këto përmbushen përmes KAYO-s”, tha ajo.

Abrazhda deklaroi se pjesa më e madhe e modernizimit të Ministrisë së Mbrojtjes realizohet përmes kompanive të huaja, ndërsa KAYO është krijuar mbi bazën e legjislacionit dhe një vendimi të Këshillit të Ministrave.

“95% e modernizimit të Ministrisë së Mbrojtjes bëhet me kompanitë e huaja. Krijimi i KAYO-s është bërë me legjislacion dhe VKM. Industria e mbrojtjes mbrohet si aset kombëtar. Ne jemi në fazat fillestare të ndërtimit të industrisë së mbrojtjes”, u shpreh Abrazhda.

Lidhur me aktivitetin e KAYO-s në Shqipëri, ajo mohoi që të bëhet ambalazhimi i armëve dhe tha se Shqipëria nuk eksporton armatim.

“Nuk ka ambalazhim të armëve në Shqipëri. Shqipëria sot nuk eksporton armatim”, u shpreh ajo.

Abrazhda tha gjithashtu se Ministria e Mbrojtjes ka të drejtë të auditojë aktivitetin dhe kontratat përkatëse. Ajo hodhi poshtë akuzat për shkelje në lidhje me furnizimin dhe eksportin e produkteve ushtarake, duke theksuar se në kontrata janë përcaktuar kufizime të qarta për vendet me embargo.

“Këto janë akuza shumë të rënda. Në kontratat që ne kemi me KAYO-n është që jo vetëm që KAYO nuk mund të eksportojë, dhe që këto klauzola janë kaluar poshtë deri te furnitori më i fundit. Nuk mund të marrin nga shtet që kanë embargo, nuk mund të eksportojnë në këto shtete, e kanë në kontratë”, tha Abrazhda.

Sipas saj, Ministria e Mbrojtjes ndjek integritetin e linjës së furnizimit dhe përcakton në kontrata se çfarë produkti kërkohet.

“Integriteti i linjës së furnizimit ndiqet nga Ministria e Mbrojtjes. Ne përcaktojmë në kontrata se çfarë produkti duam”, deklaroi ajo.

Sa i përket Ukrainës, Abrazhda tha se, në dijeninë e saj, Shqipëria nuk e ka furnizuar Ukrainën me armë përmes marrëdhënieve tregtare.

“Në dijeninë time jo. Shqipëria i ka dhënë përmes NATO-s, ka dhënë armatim nga Republika që ka qenë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Në marrëdhënie tregtare jo. Ministria e Mbrojtjes ka zero marrëdhënie me Ukrainën në mënyrë unilaterale”, tha ajo.

Abrazhda theksoi gjithashtu se KAYO nuk ka një buxhet të dedikuar. Në lidhje me partneritetet e KAYO-s me kompani private dhe pretendimet për përfshirjen e personave të caktuar në këto marrëdhënie, Abrazhda tha se emri i Ron Yeffet nuk figuron në kontratat e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Pagesa në avancë është standard në të gjithë industrinë. Në kontratat e Ministrisë së Mbrojtjes emri i Ron Yeffet nuk ekziston. Ne kemi kontratë me KAYO-n”, deklaroi ajo.

Abrazhda tha se çdo pretendim tjetër lidhur me strukturën e partneriteteve dhe rolin e palëve duhet të verifikohet dhe se nuk mund të japë përgjigje për raste hipotetike.

/tvklan.al