Hita kërkon intensifikimin e punës së Policisë për goditjen e krimit dhe rritjen e sigurisë në prag të vitit të ri shkollor

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, zhvilloi takime me strukturat e Policisë në Korçë, Tiranë dhe Dibër, ku kërkoi intensifikimin e punës për goditjen e grupeve kriminale, kapjen e shtetasve që lëvizin me armë dhe drogë, arrestimin e personave në kërkim dhe forcimin e luftës kundër krimeve kufitare.

Sipas njoftimit nga Zyra e Shtypit e Policisë së Shtetit, në këto takime, ai kërkoi goditjen e grupeve kriminale, kapjen e shtetasve që lëvizin me armë dhe drogë, arrestimin e personave në kërkim dhe forcimin e luftës kundër krimeve kufitare.

Në fjalën e tij, Drejtori Hita vuri theksin fillimisht te siguria e nxënësve në prag të vitit të ri shkollor, duke e cilësuar këtë si prioritet absolut.

Ai kërkoi që zbatimi i planit të masave për garantimin e perimetrit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor të monitorohet personalisht nga drejtuesit e strukturave vendore të Policisë, të cilët duhet të jenë në dijeni të problematikave dhe dinamikave që lidhen me shkollat në qarkun përkatës.

Në këtë kuadër, ai kërkoi intensifikimin e kontrolleve brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, për të identifikuar dhe goditur elementët që nxisin nxënësit në veprimtari kriminale.

Gjatë takimeve, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi nga strukturat vendore dhe kufitare të Policisë goditjen e krimeve të rënda, armëmbajtjes pa leje, veprave penale në fushën e narkotikëve dhe grupeve kriminale; forcimin e luftës kundër krimeve kufitare dhe trafiqeve nëpërmjet hetimeve proaktive; përmirësimin e performancës së Policisë dhe shërbimin me etikë ndaj qytetarëve, nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë e të drejtpërdrejtë; si dhe rritjen e sigurisë rrugore dhe përdorimin efektiv të teknologjisë, me objektiv parandalimin e aksidenteve.

Më tej, Drejtori Hita theksoi rëndësinë e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit, duke e cilësuar këtë si element kyç për përmbushjen e detyrave funksionale.

Ai u shpreh se ky besim rritet vetëm duke intensifikuar punën, angazhimin dhe burimet njerëzore, për të adresuar në mënyrë shteruese, informuese dhe zgjidhëse shqetësimet apo pretendimet e qytetarëve që i adresohen Policisë, nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes dhe adresave zyrtare të saj.

 

 

The post Hita kërkon intensifikimin e punës së Policisë për goditjen e krimit dhe rritjen e sigurisë në prag të vitit të ri shkollor appeared first on GIJOTINA.