Avokati Ndreca: SPAK refuzoi pa një shkak të ligjshëm takimin e avokatëve britanikë me Veliajn, ankimi në Strasburg depozitohet brenda shtatorit

SPAK refuzoi dje kërkesën e avokatëve britanikë të Erion Veliajt për ta takuar atë në paraburgim, ndërsa sipas përfaqësuesit ligjor të kryebashkiakut të Tiranës, Plarent Ndreca, për këtë vendim SPAK nuk dha asnjë argument juridik apo shkak të ligjshëm.

Në një intervistë, Ndreca sqaroi se ishte pikërisht Prokuroria e Posaçme dhe jo Drejtoria e Burgjeve institucioni që nuk lejoi zhvillimin e takimit në datën e kërkuar nga avokatët britanikë.

Sipas tij, komunikimi është bërë përmes një punonjëseje administrative të SPAK-ut, ndërsa arsyeja e vetme e përcjellë lidhej me faktin se avokatët kishin këmbëngulur për një datë të caktuar.

“Argument nuk kishte”, deklaroi Ndreca, duke shtuar se prokurorët e kishin konsideruar të papërshtatshme këmbënguljen e avokatëve për datën 10 shtator.

Sipas avokatit, data ishte përcaktuar në funksion të axhendës së mbrojtësve britanikë dhe të përgatitjes së ankimit që do të depozitohet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Prokurorët u futën edhe në rolin e vlerësimit të marrëdhënies klient-avokat. I vunë edhe notën kësaj marrëdhënieje, duke cilësuar të papërshtatshme datën që avokatët kanë kërkuar sipas axhendës që ata kanë dhe sipas planifikimit që ne kemi bërë për të depozituar kërkesën në Gjykatën e Strasburgut”, tha Ndreca.

Ai këmbënguli se, sipas mbrojtjes, nuk ekzistonte asnjë arsye juridike që justifikonte refuzimin e takimit.

“Praktikisht nuk kishte asnjë arsye juridike, asnjë shkak të ligjshëm”, u shpreh ai.