Barcelona ka dalë hapur në mbështetje të kandidaturës së Lamine Yamal për fitimin e Topit të Artë. Klubi katalanas, që për muaj me radhë kishte mbajtur një profil më të ulët, tashmë po e promovon 19-vjeçarin si kandidatin kryesor për çmimin prestigjioz.
Pas fitores 5-0 ndaj Valencias, ku Yamal ishte protagonist, në klub u diskutua mundësia që sulmuesi të dilte vetë para mediave në prag të ndeshjes me Feyenoordin. Vendimi erdhi edhe pas daljes së Kylian Mbappé para mediave, duke rritur edhe më shumë interesin rreth garës për Topin e Artë.
Yamal pranoi të fliste dhe deklaroi se nuk do të lutej për çmimin, por theksoi: “Kam bërë një vit të madh, me klubin tim dhe me Kombëtaren”. Barcelona e priti me kënaqësi këtë dalje publike, pasi synon të ekspozojë më shumë figurën e saj kryesore mediatike.
Në mbështetje të Yamal është edhe Rodri, fituesi i Topit të Artë në vitin 2025 dhe një prej figurave të rëndësishme në dhomën e zhveshjes. Yamal e ka fituar tashmë çmimin Golden Boy në vitin 2024 dhe dy trofe Kopa për lojtarin më të mirë të ri, në 2024 dhe 2025. Ai është gjithashtu MVP aktual i La Ligës.
Një sinjal i fortë nga Barcelona erdhi edhe pas ndeshjes me Feyenoordin, kur trajneri Hansi Flick u shpreh qartë në mbështetje të lojtarit: “Sigurisht që e meriton Topin e Artë; këtë mund ta shohë kushdo”.
Barcelona duket se e ka kthyer kandidaturën e Yamalit në një çështje të rëndësishme për klubin. 19-vjeçari vjen nga një sezon ku ka spikatur edhe me Kombëtaren, duke shënuar golin e parë të Spanjës në Botëror, duke shkëlqyer ndaj Portugalisë dhe duke dhënë kontribut në fazat vendimtare të turneut.
Përveç paraqitjeve individuale, Yamal ka përballë edhe një avantazh tjetër: Ousmane Dembélé, i cili ishte një prej favoritëve kryesorë në garën e mëparshme, nuk ka pasur të njëjtin vit. Yamal, ndërkohë, kombinon spektaklin, driblimet, lojën një kundër një, imazhin mediatik dhe sukseset kolektive.
Barcelona e ka bërë tashmë zgjedhjen e saj dhe do të punojë që Yamal të fitojë Topin e Artë të parë në karrierë në ceremoninë që do të zhvillohet më 26 tetor në Londër. Vetëm gjashtë ditë më parë, Barcelona do të luajë në Paris, në një ndeshje që mund të ketë peshë të veçantë edhe në këtë garë.