Një protestë po zhvillohet para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, ku qytetarë janë mbledhur pas deklaratave të fundit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Protestuesit i kanë bërë thirrje SPAK që të marrë në shqyrtim audiopërgjimet e publikuara nga Ahmetaj dhe të nisë verifikimin e përmbajtjes së tyre.
Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje si “Drejtësi”, “Këtu vendosim ne” dhe “Dorëheqje”. Qytetarët kërkojnë që organet e drejtësisë të hetojnë pretendimet e bëra nga ish-zëvendëskryeministri dhe të zbardhin çdo përgjegjësi të mundshme.
Kujtojmë se pak ditë më parë, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj publikoi në emisionin “Çim Peka Live” disa audiopërgjime, të cilat sipas tij hedhin dritë mbi një skemë të dyshuar trafikimi të armëve që përfshin biznesmenë, kompani të industrisë së mbrojtjes dhe institucionet shtetërore.
Në qendër të denoncimeve të tij është biznesmeni Ron Yefet, kompania “Timak Defense” dhe ajo që Ahmetaj e cilëson si “koncepti KAYO”. Sipas tij, materialet përmbajnë biseda që lidhen me biznesin e armëve, tenderat, kompanitë private dhe marrëdhëniet e tyre me shtetin shqiptar dhe Edi Ramën.
The post Qytetarët protestë para SPAK, thirrje prokurorëve: Merrni audiopërgjimet e Ahmetajt dhe hetoni appeared first on GIJOTINA.