Ngërçi me pagat/ Kryetarët e gjykatave ndërmarrin veprimin e radhës, kallëzojnë ministrin e Financave në SPAK

Shoqatat e gjyqtarëve, kanë paraqitur një kallëzim penal në SPAK, ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Gentian Këri, dhe përgjegjësve të 16 degëve të Thesarit në rrethe, pas ngërcit të krijuar me pagat e drejtësisë.

Sipas dokumentit, të kallëzuarve u kërkohet përgjegjësi penale për veprat “shpërdorim detyre”, “pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”, parashikuar nga nenet 248, 320 dhe 320/a të Kodit Penal.

Kallëzimi lidhet me bllokimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026. Sipas rrethanave të përshkruara në dokument, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur më 17 shkurt 2026, shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2023 në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke konstatuar se ato kishin sjellë një ulje “të fshehtë” të pagës së magjistratëve. Gjykata i kishte dhënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet ligjore të nevojshme, afat që Kuvendi nuk e respektoi.

Në këto kushte, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me vendimin nr. 435 të datës 26 gusht, dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me vendimin nr. 144 të datës 28 gusht, urdhëruan zbatimin e pagës referuese bazë sipas parametrave të VKM-së nr. 325/2023, me efekt nga 1 gushti 2026. Sipas kallëzimit, degët e Thesarit në pothuajse të gjithë vendin, me përjashtim të Kukësit dhe Dibrës, refuzuan të zbatonin urdhërpagesat me formulën e re, bazuar në një mesazh elektronik të përcjellë nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave.

Ministri Malaj, në një shkresë të datës 2 shtator drejtuar të dy këshillave, e arsyetoi bllokimin me nevojën për verifikime mbi bazën ligjore të listëpagesave dhe premtoi pagesë të shpejtë pas miratimit të ndryshimeve nga Kuvendi. Kallëzuesit e kundërshtojnë këtë arsyetim, duke argumentuar se as Ministria e Financave, as Thesari nuk kanë kompetencë ligjore të bllokojnë në mënyrë të njëanshme ekzekutimin e një vendimi gjyqësor, edhe kur ka mospajtime administrative, dhe se rruga e vetme ligjore për shtetin do të ishte padia në gjykatë.

Në kallëzim kërkohet kryerja e një sërë veprimesh hetimore, ndër to administrimi i dokumentacionit të lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të KLGJ-së dhe të KLP-së, i korrespondencës mes Ministrisë së Financave dhe degëve të Thesarit, i gjurmëve elektronike të veprimeve në sistemin e Thesarit, si dhe verifikimi nëse fondet buxhetore për pagat e gushtit 2026 kanë qenë të disponueshme.

Kallëzimin e kanë firmosur, ndër të tjerë, Erjon Bani, Gerd Hoxha, Ilirjan Hysa, Fjorald Behari, Gezim Spahiu, Lirim Bulica, Entiljano Spahiu, Orald Hoxha, Enri Rista, Ardian Dvorani, Ervin Sulaj, Mirjan Mustafaj dhe Elis Dine.

 

The post Ngërçi me pagat/ Kryetarët e gjykatave ndërmarrin veprimin e radhës, kallëzojnë ministrin e Financave në SPAK appeared first on GIJOTINA.