Kapen 100 kilogramë kokainë në aeroportin e Athinës, arrestohen katër shqiptarë

Një ngarkesë me trëndafila të freskët, e ardhur nga Kolumbia, ka vënë në lëvizje autoritetet greke dhe agjentët amerikanë të DEA-s, pasi brenda saj u zbulua një sasi prej rreth 100 kilogramësh kokainë.

Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës në aeroportin e Athinës dhe rezultoi me arrestimin e gjashtë personave. Sipas informacioneve paraprake, të paktën katër prej të ndaluarve dyshohet se janë shtetas shqiptarë.

Lënda narkotike ishte kamufluar mes ngarkesës me lule, në një përpjekje për ta futur atë në territorin grek pa u zbuluar.

Policia Greke dhe agjentët e DEA-s amerikane vijojnë hetimet për të zbardhur aktivitetin e plotë të grupit të dyshuar kriminal. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që në këtë rrjet të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar apo arrestuar.

Pjesë e hetimit është edhe përcaktimi i destinacionit ku ishte planifikuar të dërgohej sasia e kokainës, si dhe identifikimi i të gjithë personave që mund të kenë pasur rol në transportin dhe shpërndarjen e saj.

The post Kapen 100 kilogramë kokainë në aeroportin e Athinës, arrestohen katër shqiptarë appeared first on GIJOTINA.