Përplasja institucionale për pagat e magjistratëve ka marrë një tjetër kthesë, pas kallëzimit të shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në SPAK ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie dhe drejtuesve të degëve të Thesarit në rrethe.
Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve pretendojnë se zyrtarët e kallëzuar kanë penguar zbatimin e vendimeve gjyqësore që lidhen me trajtimin financiar të magjistratëve. Në kallëzim ngrihen dyshime për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Pengimit për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “Mosekzekutimit pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”.
Në kulmin e kësaj përplasjeje, kryeministri Edi Rama ka dalë publikisht në krah të ministrit të Financave, duke bërë të qartë se qeveria nuk e konsideron çështjen thjesht si një konflikt mes gjyqtarëve dhe administratës financiare.
Në një reagim në rrjetin social X, Rama shprehet se qëndrimi i ministrit Malaj për mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është konsultuar paraprakisht me të dhe me ministrin e Drejtësisë. Sipas tij, edhe grupet juridike të palëve kanë arritur në të njëjtin përfundim: pushteti gjyqësor nuk mund të urdhërojë hapjen e fondeve të Thesarit pa kaluar vendimmarrja përmes Kuvendit.
Postimi i Ramës:
Kallzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave pse nuk lejon që ata të hapin derën e thesarit për rritjen e pagave të tyre, ndërkohë që ministri pret me ligj e me zakon Kuvendin e Shqipërisë që të shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vetëm një mangësi: Mungon emri im dhe ai i ministrit të drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit.
Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë. Kaq kisha dhe nuk dua të zgjatem me çfarë mendoj për tërë këtë historinë bajate të vetërritjes së rrogave, nga kategoria më e mirëpaguar e Republikës së Shqipërisë. Por për sa më takon asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
The post Kallëzimi i gjyqtarëve në SPAK ndaj ministrit të Financave, reagon Rama: Po mua pse nuk më keni paditur? appeared first on GIJOTINA.