Kryeministri Edi Rama ka dhënë një sinjal pozitiv për familjet e Tiranës, banesat e të cilave u shkatërruan nga tërmeti i vitit 2019 dhe që ende presin përfundimin e procesit të rindërtimit.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se qeveria, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, synon të përmbyllë sa më shpejt procesin dhe t’i japë fund pritjes së gjatë të qytetarëve. Ai veçoi zonat e Kombinatit dhe 5 Majit, ku një pjesë e familjeve vijojnë të presin zgjidhjen përfundimtare të çështjes së banesave.
Sipas kryeministrit, arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj ose ndryshe siç dhe ai iu referua “prerja e kokës” së kryeqytetit me patëdrejtë, ka ndikuar në zvarritjen e këtij procesi dhe ka futur në “ngërç” vijimin e programeve ashtu si dhe duhej të vijonin.
“Formula 30-40-40. Pra 30 social, 40 i përballueshëm dhe 30 të tjera shitje për të rigjeneruar para, që të udhëheqë çdo para që rihidhen në këtë sistem, do të udhëheqë çdo proces ndërtimi dhe rindërtimi dhe me këtë rast dua t’u them qytetarëve të Tiranës që me Bashkinë e Tiranës do të finalizojmë shumë shpejt, nën udhëheqjen e ministrit të pushtetit vendor, planin për t’i dhënë fund historisë së pafundme dhe të pajustifikueshme të rindërtimit. Që nga Kombinati e deri te 5 Maji. E çfarë ka mbetur tjetër.
Që ku Bashkisë së Tiranës iu pre koka për arsye që dihen dhe për mosarsye që nuk dihen, unë mendoj që viktimat e para dhe më të pafajshme të kësaj kokëprerjeje të padëgjuar në historinë e Bashkimit Europian dhe Europës dhe vendeve të Europës. S’ka asnjë rast, Këshilli i Europës, ka dy raste, më saktë Gjykata e Strasburgut, dy të cilat në të dyja ka shpallur arbitrar mbajtjen në paraburgim të një kryetari njësie bashkiake, një në Hungari dhe një në Turqi, dhe është rasti i Shqipërisë që është shumë i rëndë dhe i mbrapshtë sa dy rastet e tjera.
Kështu që heqja e kokës dhe eksperimenti social, legal, ekonomik, politik i drejtimit të një kryeqyteti pa kokë ka sjellë shumë viktima. E kanë paguar me dëme kolosale kategori sociale në Tiranë, ku më e prekura është ajo e familjeve që presin më në fund t’u jepet çelësi, sepse janë viktima të tërmetit. Mos flas për viktima të tjera. Eksperiment jashtëzakonisht i rëndë dhe totalisht i dështuar”, tha Rama.