Champions League rikthehet me duele të forta, Bayern nis rrugëtimin ndaj Bodo Glimt

Bayern Munich, një prej pretendentëve për fitimin e Champions League, nis sonte në orën 21:00 aventurën në sezonin e ri të kompeticionit. Bavarezët presin në “Allianz Arena” Bodo Glimt, ndërsa mbrëmja rezervon edhe rikthimin e Manchester United pas tre sezonesh dhe debutimin historik të Como-s. Fenerbahce-Roma është një tjetër përballje që pritet me interes.

Bayern Munich konsiderohet favorit absolut në përballjen me Bodo Glimt, por norvegjezët kanë treguar se nuk duhen nënvlerësuar. Sezonin e kaluar ata ishin protagonistë të disa surprizave, mes të cilave edhe eliminimi i Interit në fazën “play-off”.

Bodo Glimt është gjithashtu mes pesë kandidatëve për t’u shpallur skuadra e sezonit në ceremoninë e “Topit të Artë”.

Në orën 21:00 në fushë do të zbresë edhe Manchester United, që rikthehet në Champions League pas tre sezonesh mungesë. “Djajtë e Kuq” presin në “Old Trafford” debutuesit e Sabah Baku.

Manchester United nuk e ka nisur Premier League me rezultatet e pritshme dhe synon që aventura europiane të ketë një tjetër ecuri.

Një mbrëmje historike do të jetë edhe për Como-n. Skuadra italiane debuton për herë të parë në Champions League, 119 vite pas themelimit të klubit.

Ekipi i drejtuar nga Cesc Fabregas do të përballet me Leipzig. Drejtuesit e Como-s kanë vendosur të mos jenë në stadium, duke ua lënë vendet e tyre disa prej tifozëve të vjetër të klubit.

Rrugëtimi i Como-s bëhet edhe më i veçantë duke pasur parasysh se në vitin 2018 skuadra militonte në Serie D, kategorinë e katërt të futbollit italian.

Në të njëjtën orë do të luhet edhe përballja Slavia Prague-Lens.

Ndërkohë, një prej sfidave më interesante të mbrëmjes nis në orën 18:45, kur Fenerbahce pret Romën në Stamboll.

Skuadra turke, e përforcuar me disa emra të rëndësishëm, do të përballet me ekipin e drejtuar nga Gian Piero Gasperini, i cili e ka nisur në mënyrë pozitive sezonin në Serie A dhe ka objektiva të mëdha.

Roma do të ketë si mungesë Pellegrinin, ndërsa Fenerbahce nuk do të ketë në dispozicion Asension dhe Guendouzin, me këtë të fundit të pezulluar pas kartonit të kuq.

Në orën 18:45 do të zhvillohet gjithashtu dueli mes PSV-së dhe Shakhtar Donetsk.

The post Champions League rikthehet me duele të forta, Bayern nis rrugëtimin ndaj Bodo Glimt appeared first on GIJOTINA.