Shpërthimi te karburanti në Tiranë, shoqërohen 4 persona; mes tyre edhe administratori i biznesit

Katër persona janë shoqëruar në polici pas shpërthimit të fuqishëm të regjistruar mëngjesin e sotëm në një pikë karburanti në zonën e Brrylit, në Tiranë.

Në polici janë shoqëruar drejtuesi i automjetit që po furnizohej me gaz në momentin kur ndodhi shpërthimi, menaxheri i pikës së karburantit, administratori, si dhe drejtuesi teknik.

Shoqërimi i tyre është bërë në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes, si dhe përgjegjësitë e mundshme. Nga shpërthimi mbetën të plagosur tre punonjës të karburantit, ndërsa u shkaktuan edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Tre punonjësit që mbetën të lënduar janë dërguar në Spitalin Universitar të Traumës për ndihmë mjekësore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjendja e tyre është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit dhe për të sqaruar nëse janë respektuar kushtet teknike dhe të sigurisë në pikën e karburantit.

Pas ngjarjes reagoi edhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), i cili sqaroi se nuk ka pasur shpërthim të rezervuarëve të karburantit.

Sipas ISHTI-t, nga të dhënat paraprake dyshohet se zjarri ka nisur nga një automjet që ndodhej brenda territorit të stacionit të karburantit dhe më pas është shoqëruar me shpërthim.

 

The post Shpërthimi te karburanti në Tiranë, shoqërohen 4 persona; mes tyre edhe administratori i biznesit appeared first on GIJOTINA.