Punonjësi humbi jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike, ndalohen dy zyrtarët e bashkisë në Tropojë

Dy persona janë ndaluar nga Policia e Tropojës në kuadër të hetimeve për ngjarjen e 8 shtatorit në rrugën e Dobravës, pranë fshatit Bujan, ku një punonjës i Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë humbi jetën dhe tre të tjerë mbetën të dëmtuar.

Sipas njoftimit të Policisë, në drejtimin e Prokurorisë dhe pas veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, janë ndaluar Ndriqim Gjocaj, 36 vjeç, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, si dhe Gëzim Hasanpapaj, 60 vjeç, drejtues teknik i punimeve. Të dy janë banues në Bajram Curri.

Ata dyshohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Si ndodhi ngjarja

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se katër punonjësit e Bashkisë Tropojë po mbanin një shtyllë ndriçimi për ta vendosur në bazament, kur kanë humbur ekuilibrin.

Sipas Policisë, shtylla ka prekur telat e energjisë elektrike, duke përcjellë rrymën te katër punonjësit.

Si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike, punonjësi me iniciale M. S. humbi jetën, ndërsa A. D., I. D. dhe A. A. mbetën të dëmtuar. Tre të plagosurit u transportuan për ndihmë mjekësore dhe, sipas autoriteteve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 të së martës, më 8 shtator, në afërsi të fshatit Bujan.

Policia bën të ditur se veprimet hetimore po vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

The post Punonjësi humbi jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike, ndalohen dy zyrtarët e bashkisë në Tropojë appeared first on GIJOTINA.