Irani paralajmëron zonë të re të kufizuar pranë Hormuzit: Çdo anije që hyn në të mund të sanksionohet

Irani paralajmëron krijimin e një zone të re të kufizuar pranë Ngushticës së Hormuzit, ndërsa tensionet me SHBA-në janë përshkallëzuar pas përplasjeve të fundit në Gjirin Persik.

Teherani ka paralajmëruar se çdo anije që hyn në këtë zonë mund të përfshihet në listën e sanksioneve iraniane.

Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, ka bërë me dije se zona e re do të shpallet në ditët në vijim. Ajo pritet të nisë nga vija ku fillon bllokada detare amerikane dhe të shtrihet në pjesë të Gjirit Persik, pranë Ngushticës së Hormuzit.

Sipas Teheranit, çdo anije që hyn në këtë hapësirë me synimin për të kaluar përmes Hormuzit do të përballet me masa ndëshkuese dhe mund të vendoset në listën e sanksioneve të Iranit.

Irani pritet gjithashtu të publikojë harta të reja për korridoret e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Sipas Reuters, Teherani ka arritur një marrëveshje me Omanin për menaxhimin e këtij korridori.

Zhvillimi vjen pas përshkallëzimit të përplasjeve mes Iranit dhe SHBA-së.

Ushtria amerikane ka goditur tre cisterna nafte iraniane, ndërsa Garda Revolucionare iraniane ka ndërmarrë sulme ndaj mjeteve detare amerikane dhe anijeve që Teherani i konsideron të lidhura me kundërshtarin.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë. Tensionet në këtë zonë kanë ndikuar edhe te tregjet e naftës, me çmimin e Brent që është ngjitur pranë niveleve më të larta të javëve të fundit.

Ndërkohë, SHBA po vijon presionin ekonomik ndaj Iranit përmes bllokadës detare dhe sanksioneve, duke synuar kufizimin e eksporteve iraniane të naftës.