Nga Fatbardh Amursi/
Libri i parë dhe i vetmi i Migjenit nuk u kthye në gëzimi për autorin, por, u shënua si viktima e parë e censurës, që shteti shqiptar ushtroi mbi poetët e shkrimtarët. Sipas Arshi Pipës, i cili njihej me Migjenin: “libri u konfiskua”. (Duke shkruar për një drekë mbretërore Petro Marko internohet në Llogara.) Lasgushi i ka kopjuar me dorë të gjitha poezitë e Migjenit në një fletore, shkruan Moikom Zeqo, ngaqë libri i ndaluar qarkullonte dorë më dorë. Faji duhet kërkuar tek vargjet e lira, që poetit i kushtuan shtrenjtë. Në letrën, ku Lasgushi i ankohet Asdrenit, se kishte disa ditë pa ngrënë dhe i lutet t`i dërgojë para, liriku të përngjan me një personazh të “Poemës së mjerimit”. Veç censurës së shtetit, Migjenin e ndali dhe vdekja në moshën 27-vjeçare. Gjithsesi, ai e fitoi sfidën si me shtetin dhe me vdekjen, duke u kurorëzuar poet, kur në moshën e tij shumëkush mbetet në stadin e letrarit. Gjithsesi poeti vazhdon të ndihet i rrezikuar. Shpjegimi i Arshi Pipës se sëmundja ka ndikuar që poezia e Migjenit të jetë melankolike dhe pesimiste, me tone ankuese, s`është bindëse, pasi nga turbekulozi vuante dhe Naimi, por nga shpirti i frashëriotit buroi dritë e besim. Arshi Pipa do e quaj Migjenin poet me “shpirt sllav që flet shqip”, se në shtëpinë e tij flitej serbo-kroatisht, i shkolluar në një mjedis kulturor sllav dhe në Vrakë ku u emërua mësues i shërbeu një komunitet serb. Madje ia ul hijen duke e quajtur “një mësues fshati”. Ngaqë nuk e dinte mirë shqipen, poezitë me gjasa i paska shkruar së pari në serbo-kroatish e më pas i kthen në shqip. “Shkrimet e tij janë plot gabime drejtshkrimi, madje edhe mjaft elementare, kurse sintaksa e tij është larg sintaksës tipike të shqipes.”-shkruan A. Pipa. Realisht gjyshi i Migjeni ishte një murator i ardhur nga Dibra, ndërsa i ati kishte në Shkodër një ëmbëltore. Tradita familjare e tërhiqte drejt Lindjes, ndërsa dëshira e shtynte drejt Perëndimit, vë në dukje këtë paradoks, studjuesi Pipa. A fitoi dëshira mbi traditën?
Migjeni u nis të vishte zhgunin e priftit dhe shkroi vargje blasfemike. (Nëse Çajupi mburret se mbi Tomor kanë fronin perënditë, Migjeni shkruan për idhujtë pa krena.) Si romantiku Lasgush dhe realisti Migjen shkruan në një kohë, kur bota u ishte larguar si romantizmit dhe realizmit kritik, dy metodat letrare që ata preferonin, duke rezoltuar të vonuar, sikurse dhe postmodernistët e sotëm. Vetëm realizmi socialist i dështuar u përqafua në kohë reale nga shkrimtarët mediokër. Klimën në të cilën shkroi Migjeni apo Lasgushi po e përshkruajmë me fjalët e Asdrenit në një letër drejtuar mikut të tij pogradecar: “Ndonjë libër si atë që kemi shtypur ne këtu: e shikojnë me sy të lig, e çikin me gishtrinjë të thatë, pastaj rrinë në fron dhe …heshtin. Mos kujto se kjo është një heshtje e pafajshme, naive: urrejtja, ajo më djallëzore shpërthen në këtë moment, brenda mu në fundin e shpirtit të tyre. E urrejnë kulturën, të urrejnë ty, i urrejnë librat.” Tek kjo urrejtje duhet parë dhe ndalimi i poetit, sikurse dhe sulmet që i bëhen edhe sot për ta venitur. “Nuk mjafton vetëm vullneti im për me e hip Zenelin në majat e Nalta nga shpërthejnë horizontet, sepse do ta merrja më qafë, duke parë të vetët tepër ultë, në poshtërim. Lëre në rrjedhën stërgjyshore.”-shkruan ai në skicën e tij. “Majat e nalta nga shpëthejnë horizontet” do i përmend dhe Kadare në një shkrim kushtuar Martin Camajt: “Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta.” Por, zhurmat e vogla krijojnë stuhi në gotë dhe profilet e rëndomta e shpenzojnë jetën duke njollosur dhe çmitizuar apostujt e kulturës. Ndaj Migjeni e ngul thellë shigjetën e ironisë: “Askush s`mund të thotë se rron një popull, që ndërton diçka të re.” Arsyeja duhet kërkuar tek: “Frika mos po zgjohet mënia e njeriut zotëri”, e cila shoqërohet me dilemën: “Sokrat i vuajtun” apo “derr i kënaqur”? Poeti e konsideron veten misionar për të shpallur një moralitet të ri për të ardhmen, sikurse vë në dukje me të drejtë A. Pipa. “Na birët e shekullit të ri, nuk duhet që për hir “të shenjtëve” të zhytemi në pellgun e mjerimit.” (Kadare në librin e tij të bujshëm “Shekulli im”, sikurse dhe Migjeni parapëlqen të bëhet zëdhendës i brezit të ri. Driteroi shqetësohet tek poemë “Baballarët” mos po nxitet sherri etër-bijë, ndërsa në Qytetin Studenti bijtë u ngritën kundër etërve të tyre.)
Thuhet se Migjeni ishte i ndikuar nga Niçja, kur shkroi vargjet: “Nevoja që të lindet një njeri, pa yll në ballë, i madh si madhni, por që me fjalë të pushton”, nënvizoj: pa yll në ballë, por më fjalë të pushtoj, i cili pritet të shëmbë idhujtë pa krena, gjë që komunistët e bënë, për duhet të linte dhe plakun në shejtni, duke iu bashkuar përfytyrimit të Naimit: “Krujë, o qytet i bekuar/Prite, prite Skënderbeun,/Po të vjen si pëllumb i shkruar/Të shpëtojë mëmëdheun!” I madh si madhni, si çlirimtar dhe jo i fetishizuar, jo i kthyer në kult, jo në idhuj pa krena, sikurse rezultoi shtatorja e Enver Hoxhës.
Në kohën e elektrifikimit të Shqipërisë, vargje si këto: “Pak drita, kur shpirti vuan: kur të dhëmb dhe s`di ç`të dhëmbë, urren e s`di ç`urren. O burrë, o hero!”, ishin me dy presa, ndaj propaganda e kohës vuri në dukje vetëm dritën, por jo shpirtin që vuan, ku ushqehet urrejtja klasore, madje duke akuzuar një vjedhje, që të gjithë i kaluan anash: “U vodh kënga nga zemra e kombit dhe u shndërrua në vaj.”, se ndjesitë një e nga një tradhëtohen prej jetës dhe po ndjen se së shpejti po katandisesh në një flamur i vjetëruar e i reckosur. Sa për diellin alegorik, i përmendur aq shumë nga propaganda, u muar kallëp, duke e zhveshur nga nuancat: “Jo, jo diell, nuk pajtohem me ty, nuk pajtohem me të qeshurën tënde ironike, që të ka ndy fytyrën! Shtëpitë e fshatit janë në mosmarrveshje të plotë me diellin.” Regjimi e përdori poetin, por shpesh ai i dilte duarësh, aty ku: lypsi shtërngon grushtet, kali në pleqëri ëndërron pelën dhe malsorja pret të lind një cub. Aty ku: “Gjymtyrët e mpita të dheut, që quhet shtet.” Dhe poeti kërkon: “Të ulërij, por s`ka fuqi”, ndaj brengoset që s`ka një grusht me e godit malin, që s`bëzan, një grusht të fuqishëm malit t`ia ngjesh, që ta shoh si dridhet nga grushti i paligjshëm, që ta kuptojë dhe ai se ç`do të thotë të jesh i dobët. Por, grushti, u kthye në një simbol i komunistëve. I vetmi kryengritës është gjeli, që kërkon të lajmëroj ardhjen e agut në lagjen e varfër të varrosur brenda natës. Kjo është ana e pëlqyer, që përdori propaganda e kohës, duke injoruar anën tjetër të medaljes, gojën e kyçur. Nëse vargjet e më poshtme do t`i shkruante një poet i realizmit socialist, adhurues i Migjenit, ai do përfundonte në burg: “Thellë në veten time flejnë këngët e pakëndueme,/të cilat ende vuajtja dhe gëzimi s`i nxori”, (dhe kur i nxori ia konfiskuan librin), që presin një ditë të gëzueme, që të shpërthejnë pa frikë e pa zori, se “Mëngjeset e mia nuk janë më mëngjese hovi dhe pune.” Migjeni është më i lirë nga ata, që shkruajnë sot. Kënga e të burgosurit i drejtohej diktaturës, pavarësisht se ajo nuk e mori për vete: “Hekrat e kryqëzuem dhe ndërgjegjia eme/dy anmiq të betum luftojnë ditë e natë.” Ndërkohë që poetët dënoheshin për ndikime të huaja, të artit borgjez, në shkolla mësohej: “Kangë Perëndimi, kangë njeriu të dehur nga besimi për veten.”, “Me një tango qejfi ia ngatërron fijet zotit të vjetër”. Diktatura, nëse Naimin e censuronte aty ku ai i drejtohej perëndisë, Migjeni propagandohej për ateizmin në vendin pa kisha e xhamija, ndërsa sot me shtimin e kulteve fetare, kjo blasfemi mund t`i kthehet poetit në bumerang. “E mbi të si në ajri, si në qesendi,/therin qielli kryqat dhe minaret e ngurta./profetet dhe shenjtët në fushqeta të shumgjyrta shkëlqejnë./E mjerimi mirëfilli ndjen tradhëti” së pari prej klerikëve. E përforcuar kjo revoltë dhe në vargjet: “Xhamijat dhe kishat në lutjet pa kuptim e shije/ende s`po ia thyejnë zemrën zotit.”, “Përdit perëndojnë zotat dhe rrëshqasin trajtat e tyne”, ku zoti rri galiç në trut e njerëzimit.
Në poezitë dhe prozën e Migjenit një hapsirë të konsiderueshme së mjerimi. Nëse një poet i realizmit socialist tregohej objektiv, sikurse ka ndodhur ai akuzohej për “nxirje të realitet” dhe ndëshkohej. “Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive/të nalta, ku nuk mbërrin zani i lypsit”, prej sarajeve dikur apo vilave sot, kështu që poetit i krijohen kundërshtarë të rinj. “Mjerimi nga i herë i ka faqet e lustrume,” si një përmendore e tregtisë së ndyrë të seksit, duke tërhequr ndoshta dhe zemërimin e trafikantëve. Kështu që, Migjeni, rrezikon të bëhet i padëshirueshëm edhe sot.
Poezia intime zë më pak vend, edhe pse nuk mungojnë prostitutat. Kjo ndoshta dhe prej edukimit fetar, që mori. “Dy buzë të kuqe/Dy dëshira të flakta.”,“Erdh pranvera dhe në fytyrat tona rrëshqiti një gëzim.”, “O grua që të desha në ditën e fatkobit tim”, “Grua a hyjneshë e mbështjell me errësirë të natës…/Buzët e njoma të saj dhe sytë e zezë të mdhaj/premtojnë një dashni të hijshme.”, “Më plak mërzitja/që vetmia më sjell.”, “që kam shumë armiq të liq”, “ndrit shpirti i ri”. “Jeta i shkoi si një gotë shampanjë”, “psherëtime që mbysin”. Në këto vargje rrëzëllit e gjithë erotika e tij.
Të gjithë vuajtjet Migjenit ia shkakton fakti, që arrin të shohi shumë dhe se sheh një popull që s`po mund të ndërtojë diçka të re. “Përditë shoh qartë e më qartë/dhe vuaj thellë e më thellë.”
Thirrja e tij: “Shoqëri ndërro format!”, duke insistuar në: çlirimin e vullneteve të ndrydhura, prej hyjve që fatin tonë e mbajtën në mërinë e tyre përpirase dhe shkëndija, “si ndriçim i shpirit të ri”, (kujto: shkëndija e diellit ndaj manushqe të Naimi,) lidh me nyjet e arta të dashurisë, janë mesazhe shumë më të nevojshme prej “diellit alegorik”, që si në epos: shndriti shumë, por nuk ngrohu. Poeti do që shkëndija të zbresë në trajtën e agimit, shpirti i ri si lajm i një ideali të ri dhe Kënga e Perëndimit, si një fe tjetër, me tempuj të tjerë, ku njeriu dehet nga besimi tek vetja. Në vend të jetë djepi i këngëve ka frikë se mos është vorri i tyre, duke mos prekur ende një zemër të huaj, të cilat nuk i nxorri as gëzimi dhe as vuajtja, ku qiejt e huaj premtojnë gëzime të ëmbëla. Nw fakt, nw ato qiej i ndodhi tw mbyllte sytw pwrgjithmonw. Shpesh e shoqëron një frikë, se mos shekujt prapë po tallen me ne, ku dhe bukuria e buzëve të vret. “S`duam me humbë/në lojë të përgjakur të historisë.” Duam ngadhnjim të ndërgjegjies dhe mendimit të lirë. (Diktatura i përtypi në heshtje ngadhnjimin ndërgjegjies dhe të mendimit të lirë, duke ia njohur si të keqe tiranisë së mbretit Zog.)
Prej vargjeve të lira nuk është i rrezikuar vetëm Migjeni. Fishta, Konica e Camaj u censuruan gjatë regjimit komunist. I kërcënuar është dhe Ismail Kadare. I kërcënuar është cilido që si Zeneli i Migjenit do me u ngjit në majat e larta, në tryezën e epërme, se të gjitha kanë po ata kundërshtarë që kishte Migjeni, Fishta, Konica dhe Kadare. Të rrezikuar nga “shpirtrat skiftera që deshën të baheshin pëllumba.” Çdo të ndodhte me “uruganin e ndërprerë” në diktaturë, do heshte si Lasgushi apo do kishte fatin e Petro Markos? “Kur po hipja në autobus dhe po përqafohesha me Migjenin, vendosa t’i thosha se po ikja larg. Nuk dihej nëse do të shiheshim më. Ai e kuptoi. Më shtrëngoi dorën, më përqafoi. I pashë sytë t’i lageshin. Dhe më tha: “-Lum ti që ke shëndet të mirë! Po, Petro, lum ti që ke shëndet të mirë.-Ti ke shkruar vargje të mira dhe të dobëta, ke shkruar shumë, po nisja jote për në Spanjë është poema më e bukur që po shkruen.”