Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ishte sot në Himarë, ku prej 12 orësh po vijon përpjekja për të vënë nën kontroll zjarrin.
Bashkë me drejtorin e Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri, Ervis Gjoshi, Lamallari informoi mbi punën që është bërë në terren për menaxhimin e situatës së zjarreve.
Nga ana e tij, Gjoshi theksoi se shërbimi zjarrfikës ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka angazhuar 21 automjete nga bashki të ndryshme.
“Automjetet janë angazhuar nga Tirana, Durrësi, Vlora, Himara, Saranda, dhe bashkitë të tjera dhe janë përfshirë dhe 50 efektivë për përballimin e kësaj situate. Nga ana jonë është ndërhyrë në çdo vatër. Aktualisht situata është nën kontroll”, tha Gjoshi.
Ai falenderoi të gjithë efektivët që po marrin pjesë në këtë operacion, ndërsa vlerësoi se falë përkushtimit të punës së tyre është arritur dhe ky rezultat që kemi aktualisht.
Ndërkohë një punonjës i shërbimit zjarfikës së Kamzës, i përfshirë në këtë ndërhyrje, u bëri apel qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm dhe të jenë shumë të vëmendshëm që mos të krijojnë situata të tilla jashtë pritshmërive.
Në mbështetje të këtij operacioni ka qenë po ashtu edhe Policia e Shtetit, që ka ndihmuar për pjesën e evakuimit dhe menaxhimit të gjithë perimetrit të sigurisë.
Një prej efektivëve të angazhuar në këtë ndërhyrje falënderoi qytetarët e Himarës që u janë përgjigjur thirrjeve për evakuimin e disa shtëpive dhe për njoftimin në kohë reale të çdo vatre zjarri, që mund të konstatohej të gjitha zonat përreth.