Kryeministrja italiane Giorgia Meloni festoi rekordin e qeverisë më jetëgjatë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore, në një tubim në qytetin jugor të Barit. Me 1,413 ditë në detyrë, qeveria e saj tejkaloi rekordin e mëparshëm të vendosur nga administrata e dytë e Kryeministrit të ndjerë Silvio Berlusconi në vitin 2005.
Në fjalimin e saj, Meloni theksoi arritjet gjatë gati katër viteve të saj në qeveri.
“Ata thoshin: me të djathtën në qeveri, Italia do të humbasë miliarda; ata nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë detyrën. Jo vetëm që nuk kemi humbur asnjë euro, por e kemi përshtatur PNRR-në (planin e rimëkëmbjes pas pandemisë) sipas nevojave reale të këtij kombi, dhe pas dekadash ku Italia kishte mbetur prapa në shpenzimin e fondeve evropiane, ne kemi qenë vendi kryesor në Evropë për sa i përket shpenzimeve për planin e rimëkëmbjes pas pndemisë dhe kemi dhënë një shembull për pjesën tjetër të Evropës”, tha Giorgia Meloni.
Meloni gjithashtu theksoi rolin që Italia ka marrë në Bashkimin Evropian, megjithëse shumë kryeqytete evropiane ishin të kujdesshme ndaj saj kur ajo erdhi në pushtet në tetor 2022.
“A ju kujtohet se si, për vite me radhë, na u tha se qëndrimet tona (mbi migracionin) ishin të papranueshme, se ato ishin jashtë kornizës së kulturës ligjore evropiane? Epo, unë mund t’ju informoj zyrtarisht se sot ato qëndrime janë ligj evropian dhe për këtë arsye janë pjesë e kulturës ligjore evropiane”, shtoi Giorgia Meloni.
Ndërsa i drejtohej mbështetësve, herë pas here duke bërë shaka me ta, Meloni u ndërpre nga një telefonatë nga vajza e saj nëntëvjeçare Ginevra.
“Ishte vajza ime, më falni”, tha kryeministrja ndërsa mbylli telefonin, duke shtuar, “ajo bëri tre telefonata.”