Ardian Vehbiu
Kam vetëm një paradite për t’u takuar me Gjenevën. Ku?
Guidat në Facebook – pa përmendur miqtë e palodhur të Inteligjencës Artificiale – rekomandojnë zhytjen pagëzuese në histori, Muzeun e Kryqit të Kuq…
Mendoj se kur vizitoj qytete që nuk i njoh, gati më intereson më shumë hapësira se koha. Prandaj nisem drejt… liqenit, që më tërheq magnetikisht.
E kam parë nga ajri, e kam parë nga qytete të tjera (Lausanne), tani do ta shoh edhe që këndej.
Mbrëmë ra fjala me E. për njerëzit e mëdhenj të Gjenevës. Emri i parë që më erdji ishte Rousseau-i – një libër i të cilit i përkthyer në shqip, Emili, nuk di pse më ishte shfaqur te shtëpia në Tiranë.
Kam lexuar se Enver Hoxha e kish qortuar atë botim, duke vënë në dukje të metat dhe kufizimet e filozofit frëng.
Pastaj m’u ndërmend një nga ata që më kanë ndriçuar mendjen si pakkush tjetër: Saussure-i.
Me arkitekturën e vet të bardhë, Gjeneva sikur m’i kujtonte edhe drejtpërdrejt leksionet e atij mësuesi, që i kam lexuar për herë të parë në përkthimin shqip të Rexhep Ismailit; dhe pastaj më pas të Tullio De Mauro-s italisht.
(Prof. Ismailin e takova para pak ditësh në Prishtinë.)
I vetmi libër që i kam lexuar Rousseau-it ka qenë L’Essai sur l’origine des langues, një vepër që ai e pat lënë të pambaruar, dhe që unë e pata ndeshur – gati rastësisht – të harruar në një bibliotekë të trashëguar nga Paralufta.
Me faqe të zverdhura dhe shkronja të vogla.
Edhe Saussure-i i Kursit të gjuhësisë së përgjithshme, nuk i pat botuar së gjalli leksionet e veta.
Të dy këta dijetarë nga Gjeneva kanë thënë e lënë gjëra mbresëlënëse për gjuhën. Kjo më vë në pozitë delikate, në mos të vështirë, ndaj qytetit që tani shkel.
Liqenin vendësit e quajnë Lac Léman, një emër që disa e kanë lidhur me emrin Liménos Límnē (Λιμένος Λίμνη) të greqishtes, tek i cili fshihet edhe fjala tjetër liman.
I afrohem dhe më kujtohet – gati detyrimisht – Lasgushi. Ngaqë ngjyra e ujit është si e “Liqerit”, ngaqë tek-tuk shikon ndonjë mjellmë. Andaj edhe po më bëhet ta quaj gjol.
Zogjtë që shëtisin të patrazuar në sipërfaqen e kaltër më çojnë mendërisht edhe flamingot e Nartës, edhe ata të bulevardit në Tiranë.
Futem te shëtitorja buzë liqenit nëpërmjet një shtegu që kalon afër l’horloge fleurie, një monument i Gjenevës bimore, një orë e madhe e shtruar me lule.
Gjendet në hyrje të një parku të shënuar në hartë si English Garden. E kap veten duke kënduar:
Sitting in an English garden waiting for the sun
Një varg nga kënga e Beatles-ve I am the Walrus. Por dita në Gjenevë është me diell, edhe pse kënga vazhdon kështu:
“… if the sun don’t come, you’ll get a tan from standing in the English rain.”
Fjalët veniten, dielli djeg edhe më fort, por kënga do të më shoqërojë tani gjithë ditën.
Kaq e bardhë është dita sot këtu, sa e kam të pamundur të përfytyroj gjëra angleze, si shiu që përmend Lennon-i; ose edhe atë Gjenevë gotike ku ambientohet romani Frankenstein, i Mary Shelley-t!
Këtu afër shëtitores ku jam duket nga afër edhe i mirënjohuri Jet d’eau, shatërvani aq minimax i qytetit, ujë që del nga uji, dhe që thonë se tërheq turistët. E kisha shquar që nga avioni, kur ky po i afrohej aeroportit – më kish sugjeruar idenë e një bote indiferente e të sunduar nga rutinat, që nuk pyet për çfarë i kalon sipër.
Por kështu i kundruar nga bregu, Jet d’eau më hipnotizon me kaosin e bardhë të ujit të ajruar, që synon qiellin dhe pastaj – në fund fare – e kupton se nuk e arrin dot. Përthyerjet e hijshme të shkumës në majë më ndjellin në mendje, kushedi pse, art-deco-n e Chrysler Building, në Manhattan.
Nuk ka gjë më qetësuese se një shartëvan in perpetuo: ti e pret të ndalë dhe ashtu mund të kalojnë një mijë vjet.
Ulem në një stol buzë ujit dhe atje më avitet një korb, për të më bërë një muhabet shumë serioz. Edhe pse ende nuk kërkon të më shesë gjë, me sa duket dëshiron diçka prej meje. Shpresoj fort se nuk po më thotë “never more”. Këtu uroj të kthehem e të rikthehem.
Dhe nuk është hera e parë që sot dëgjoj gjuhë të panjohura në rrugë. Jo më kot një guidë e qytetit sapo më porositi që të vizitoj selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Vendi ku pat mbajtur Noli (i korbit të Poe-s) fjalën e vet të njohur, në 1920 (“fjalimi që tronditi botën”). Por atje paska folur edhe Mithat Frashëri më pas.
Gjeneva si foltorja me të cilën i është drejtuar Shqipëria Europës dhe botës.
Ja kështu: kam ardhur te ky qytet, por më shumë po udhëtoj në kujtimet e mia, për t’i gjetur atje vend këtij realiteti kaq të ri për mua.
Kjo është edhe arsyeja pse dua të rri afër liqenit: sepse liqeni i reziston përvetësimit. Përçon një realitet të ndryshëm nga Kursi i Saussure-it ose gjuha sulfurike e Nolit në Lidhjen e Kombeve.
U druhet e u largohet edhe ai, butikave me nam, markave të luksit, reklamave të shtegtuara nga vise të tjera më komerciale, mbllaçitjet në mijëra nofullat e atyre që drekojnë në tavolinat e restoranteve buzë rrugës.
Këmbët më shpien te një plazh, i cili më del përpara befas, me pak njerëz që shullëhen në diell dhe një notues i vetëm, që rrëshqet në ujë pa zhurmë.
Plazhi i drojtur, pothuajse i varfër te ky liqen gati më zhgënjen. Ndihem – çuditërisht – i tradhtuar; paçka se nis ta identifikoj veten me notuesin bizarr.
Këtë shëtitje nuk po e vazhdoj dot më: dua të kthehem në hotel dhe ta përshkruaj. Mbase vetëm duke e rrëfyer, do të mundem ta shijoj mirë.
I kapur përballë të panjohurës, vuaj hakërrimin e së shkuarës sime, e narrativës sime personale, që më plazmon identitetin dhe ka frikë t’i bëjë vend diçkaje të re. Madje shkoj aq larg, sa të guxoj të përfytyroj ditën fatlume nesër, kur një qytet tjetër, edhe ai i ri, do të fillojë të më duket si Gjeneva.