Mbi 15 mijë qytetarë të Kosovës kanë hyrë në Shqipëri brenda pak më shumë se katër orësh mëngjesin e kësaj të shtune, duke shkaktuar fluks të lartë në pikën kufitare të Morinës. Destinacioni kryesor i shumë prej tyre mbetet bregdeti shqiptar, pavarësisht përfundimit të sezonit veror të pushimeve.
Sipas të dhënave të Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin Kukës, nga ora 05:00 deri në 09:15 të 5 shtatorit 2026, përmes Stacionit të Policisë Kufitare Morinë kanë hyrë në territorin shqiptar 15 mijë e 823 qytetarë të Kosovës.
Lëvizja e lartë e udhëtarëve është shoqëruar edhe me një numër të konsiderueshëm automjetesh. Brenda të njëjtit interval kohor kufirin drejt Shqipërisë e kanë kaluar 4 mijë e 107 mjete të vogla dhe autobusë.
Fluksi është regjistruar që në orët e para të mëngjesit, me qytetarë të shumtë nga Kosova që kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar fundjavën.
Edhe pse periudha kryesore e pushimeve verore ka përfunduar, temperaturat e larta duket se po favorizojnë vijimin e lëvizjeve drejt zonave bregdetare.
Shifrat e kësaj të shtune tregojnë se bregdeti shqiptar vijon të tërheqë një numër të lartë vizitorësh nga Kosova, veçanërisht gjatë fundjavave.
The post Fluks në Morinë, mbi 15 mijë qytetarë të Kosovës hyjnë në Shqipëri brenda disa orëve appeared first on GIJOTINA.