Përplasja e dy biznesmenëve/ Dy efektivë të Policisë Ushtarake të pranishëm në sherrin tek Hotel ‘Regina’

Ministria e Mbrojtjes pranon se dy efektivë të Policise Ushtarake kanë marrë pjesë në konfliktin mes dy biznesmenëve në Vlorë.

Reagimi i plotë i Ermal Nufit

“Në lidhje me raportimet e disa portaleve për përfshirjen e dy efektivëve të Policisë Ushtarake në ngjarjen e ndodhur dje në Vlorë, e konsideroj të nevojshme të sqaroj opinionin publik se këta persona nuk janë truproja apo badigardë personalë.

Ata janë pjesë e Policisë Ushtarake, strukturë e Forcave të Armatosura me detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara me ligj.

Efektivët e dyshuar janë pjesë e Policisë Ushtarake që nga viti 2006 dhe në periudha të ndryshme prej vitit 2018-të, ata kanë kryer edhe detyra të sigurisë, mbrojtjes dhe shoqërimit institucional të Ministrit të Mbrojtjes, por kjo nuk i bën ata punonjës personalë të ministrit dhe, aq më pak, nuk i lidh veprimet e tyre individuale me institucionin apo me ministrin.

Dua të theksoj gjithashtu se asnjëri prej dy efektivëve nuk ka qenë në shërbim ditën e ngjarjes në Vlorë.

Për rrjedhojë, çdo veprim i tyre në këtë ngjarje, nëse konfirmohet nga organet kompetente, është veprim individual dhe jashtë detyrës institucionale.

Ministria e Mbrojtjes distancohet qartësisht nga çdo veprim i paligjshëm dhe respekton plotësisht hetimin e organeve ligjzbatuese.

Përgjegjësia individuale dhe rrethanat e ngjarjes do të përcaktohen vetëm nga autoritetet kompetente, në përputhje me ligjin.

Deri në përfundimin e verifikimeve, dy efektivët janë pezulluar nga shërbimi në Policinë Ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes mbetet e vendosur për respektimin e ligjit, disiplinës dhe integritetit profesional nga çdo efektiv dhe punonjës i strukturave të saj. Uniforma, autoriteti dhe detyra shtetërore nuk mund të përdoren për qëllime personale apo jashtë kuadrit ligjor.

Çdo shkelje e konstatuar do të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.”

gijotina.com/

The post Përplasja e dy biznesmenëve/ Dy efektivë të Policisë Ushtarake të pranishëm në sherrin tek Hotel ‘Regina’ appeared first on GIJOTINA.