Projekti TID në Durrës/ Banorët dorëzojnë në Bashki dokumentin me 15 faqe: Të shfuqizohet, shtëpinë s’e lëshon njeri për lulishte

Banorët e prekur nga projekti TID në Durrës kanë vijuar përplasjen me institucionet, duke kërkuar anulimin e tij.

Një përfaqësi e tyre dorëzoi në Bashkinë Durrës një dokument prej 15 faqesh, të firmosur nga 65 banorë.

Dokumenti u drejtohet disa institucioneve, mes tyre Bashkia Durrës, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Trashëgimisë Kulturore.

Banorët kërkojnë pezullimin e projektit dhe nisjen e procedurave për shfuqizimin e tij.

Sipas arkitektes Entela Koja, shfuqizimi i VKM-së nr. 442, datë 3 qershor 2020, ka rrëzuar bazën ligjore mbi të cilën mbështetej projekti.

Me shfuqizimin e zonës së re për zhvillim është prekur edhe Plani i Detyruar Vendor, që parashikonte prishjen e disa pronave.

“Projekti ka rënë që në momentin që diskutohet rishikimi i tij”, deklaroi Koja.

Ajo tha se banorët kërkojnë që institucionet ta pranojnë këtë edhe zyrtarisht, përmes dokumenteve.

Edhe banorët kanë reaguar ashpër, duke kundërshtuar çdo tentativë për prishjen e banesave të tyre.

“Ta shfuqizojë vendimin, se shpëtuan shumë shtëpi dhe njerëzit po gëzojnë”, tha banorja Rita Kazazi.

“Ne shtëpinë nuk e lëshojmë për lulishte. Ta harrojnë!”, shtoi ajo.

Banorët paralajmërojnë se beteja do të vijojë edhe në gjykatë dhe në Këshillin Bashkiak.

Ata kundërshtojnë projektin e hartuar nga AADF, duke pretenduar se ai prek mbi 80 prona në zonën historike të Durrësit.

Përfaqësuesit e banorëve kërkojnë që projekti të pezullohet dhe çështja e pronave të zgjidhet përmes një procesi të drejtë ligjor.

 

The post Projekti TID në Durrës/ Banorët dorëzojnë në Bashki dokumentin me 15 faqe: Të shfuqizohet, shtëpinë s’e lëshon njeri për lulishte appeared first on GIJOTINA.