Shqipëria ka prodhuar ndjeshëm më shumë energji. Kjo edhe falë energjisë diellore. Në tremujorin e dytë, prodhimi neto vendas arriti në 2361 GWh, me një rritje prej 34.4% krahasuar me një vit më parë. Eksportet u rritën me 55.4%, ndërsa importet ranë me 21.5%, duke çuar në një bilanc pozitiv të shkëmbimit në 422 GWh.
Sipas ekspertit Lorenc Gordani, rritja e prodhimit është reflektuar drejtpërdrejt në tregtinë e jashtme
“Kemi kaluar nga një situatë ku importi ishte një nevojë në situatën ku tani kemi një tepricë, pikërisht e cila na lejon të kalojmë edhe në eksport të energjisë”, tha eksperti.
Për ekspertin, sfida është të kthejmë këtë avantazh në vlerë ekonomike të qëndrueshme.
“Kemi një prodhim i cili vjen 19% nga energjia fotovoltaike, e cila përbën një rritje shumë të rëndësishme, rreth 55%. Kemi më shumë energji, por mbi të gjitha kemi një sistem të diversifikuar”, tha eksperti.
Gordani sheh rritjen e konsumit nga qytetarët dhe bizneset si zhvillim pozitiv.
“Nëse ekonomia shqiptare rritet, pra elektrifikohet më shumë industria, transporti, shërbimet, sektorët e ndryshëm, do të kemi pra një kërkesë për energji të vazhdueshme”, theksoi ai.
Ndërkohë, humbjet në rrjet mbeten një problem që kërkon zgjidhje.
“Investimet në energji nuk duhet të jenë vetëm investime në megavat të rinj, por duhet të investohet në rrjet, duhet të investohet në matje, në menaxhim, në dixhitalizim, pra në përmirësimin e efiçencës në tërësi”, nënvizoi Gordani.
Për Gordanin, nevojitet forcimi i kuadrit rregullator me qëllim ofrimin e garancive për investitorët, si dhe një fokus më i madh tek menaxhimi, transmetimi, si dhe shitja e energjisë në momentet më të volitshme të tregut.