Fundjavë me gola kuqezi! Shënojnë Rey Manaj, Mirlind Daku, Cristian Shpendi dhe Kevin Dodaj për ekipet etyre

Një tjetër javë me gola dhe paraqitje pozitive për futbollistët shqiptarë që aktivizohen në kampionatet ndërkombëtare. Rey Manaj, Mirlind Daku, Cristian Shpendi dhe Kevin Dodaj gjetën rrugën e rrjetës me skuadrat e tyre, ndërsa disa prej legjionarëve të Kombëtares shqiptare u aktivizuan si titullarë.

Në Turqi, Rey Manaj gjeti sërish rrugën e rrjetës me fanellën e Sivasporit, në transfertën ndaj Batman Petrolspor. Sulmuesi shqiptar kaloi skuadrën e tij në avantazh në minutën e 32-të. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë 0-1 të Sivasporit, por vendasit përmbysën rezultatin në pjesën e dytë dhe sfida përfundoi 2-1.

Në Rusi, Mirlind Daku shënoi golin e tij të parë me fanellën e Spartak Moskës në kampionat. Sulmuesi kuqezi, i transferuar vetëm pak javë më parë nga Rubin Kazan, realizoi golin e barazimit të përkohshëm 1-1 në përballjen në shtëpi ndaj Orenburgut. Daku shënoi në minutën e 76-të, duke u bërë protagonist për skuadrën e tij në këtë sfidë.

Në Itali, Cristian Shpendi vazhdon formën e mirë me Cesenën. Sulmuesi shqiptar shënoi sërish, këtë herë në fitoren 2-1 ndaj Entellës.

Shpendi realizoi golin e dytë për Cesenën, ndërsa ky ishte një gol historik për të, pasi ishte i 50-ti me fanellën e Cesenës. Me këtë realizim, Shpendi bëhet edhe golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e klubit italian.

Në Poloni, protagonist ishte edhe sulmuesi i Kombëtares U-21, Kevin Dodaj. Futbollisti shqiptar shënoi golin e dytë për Lechia Gdansk në fitoren 4-2 ndaj Polonia Warszawa. Dodaj realizoi në minutën e 61-të, duke kontribuar në suksesin e rëndësishëm të skuadrës së tij.

Në këtë javë, me skuadrat e tyre janë aktivizuar si titullarë edhe: Thomas Strakosha, Klisman Cake, Bujar Pllana, Stavro Pilo, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Arbër Hoxha dhe Taulant Seferi.

The post Fundjavë me gola kuqezi! Shënojnë Rey Manaj, Mirlind Daku, Cristian Shpendi dhe Kevin Dodaj për ekipet etyre appeared first on GIJOTINA.