Vendimi i bujshëm i KLGJ-së ndaj qeverisë: Rriten pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë këtë të mërkurë, 26 gusht, një vendim të rëndësishëm për pagat e magjistratëve.

KLGJ ka vendosur të përllogarisë pagën e gjyqtarëve në përputhje me përcaktimet e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi u miratua unanimisht nga 11 anëtarët e Këshillit, duke i dhënë fund pasigurisë së krijuar gjatë muajve të fundit.

Sipas vendimit, paga referuese bazë për magjistratin do të llogaritet mbi bazën e përcaktimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe VKM-së nr. 325/2023.

Paga për pozicion përcaktohet në shumën 222,425 lekë, ndërsa shtesa për nivelin e kualifikimit “Grupi i diplomës 1” është 14 mijë lekë.

Këto ndryshime do të zbatohen duke nisur nga 1 gushti 2026 dhe në vijim.

Vendimi i KLGJ-së i ngarkon Ministrisë së Financave detyrimin për të garantuar mbështetjen e nevojshme buxhetore.

Por efekti financiar i vendimit shkon edhe më pas, pasi rillogaritja do të ketë efekt prapaveprues.

Sipas pikës 4 të vendimit, do të përllogariten diferencat për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.

Llogaritjet do të kryhen për të gjitha funksionet gjyqësore në gjykatat e të tre niveleve.

Ky vendim vjen në një kohë kur Kuvendi dhe qeveria nuk kishin ndërmarrë ende hapat për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

KLGJ ka paraprirë kështu institucionet ekzekutive dhe legjislative në zbatimin e përcaktimeve kushtetuese.

Tashmë, topi është në fushën e Ministrisë së Financave, e cila duhet të garantojë fondet për zbatimin e vendimit dhe rillogaritjen e pagave.

The post Vendimi i bujshëm i KLGJ-së ndaj qeverisë: Rriten pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve appeared first on GIJOTINA.