Protesta e 85-të kundër Ramës, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë: Shqipëria kërkon revolucion

Nis protesta e 85-të para Kryeministrisë. Qytetarët janë mbledhur sërish sot, kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas nisën marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndalur përpara godinës së Kryeministrisë.

Kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e Edi Ramës. Përpara Kryeministrisë, protestuesit kanë përsëritur kërkesën për largimin e tij, ndërsa nga tubimi është dëgjuar edhe thirrja “Ramoviç, jep dorëheqjen”.

Protesta e kësaj të diele është vijim i tubimeve të përditshme që zhvillohen në Tiranë. Një ditë më parë, në protestën e 84-t u dëgjuan thirrjet “Arrestoni Ramën” dhe kërkesa për largimin e kryeministrit.

Përveç dorëheqjes së Ramës, protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila, sipas platformës së tyre, duhet të përgatisë vendin për zgjedhjet e ardhshme. Ata kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e disa nismave ligjore që i konsiderojnë në kundërshtim me interesat e qytetarëve.

Pas mbërritjes para Kryeministrisë priten fjalimet e pjesëmarrësve. Protestues të ndryshëm po paraqesin kërkesat dhe kritikat e tyre ndaj qeverisë, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë.

Protesta e 85-të zhvillohet në të njëjtën ditë kur Edi Rama zhvilloi në Pogradec një mbledhje disaorëshe me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe drejtues të qeverisë, në prag të sezonit të ri politik.

Ndërsa Rama dhe drejtuesit socialistë diskutuan në Pogradec për organizimin politik dhe dokumentin “Besa”, protesta në Tiranë vijon me të njëjtën kërkesë të shpallur gjatë ditëve të fundit: dorëheqjen e kryeministrit dhe ngritjen e një qeverie tranzitore.

The post Protesta e 85-të kundër Ramës, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë: Shqipëria kërkon revolucion appeared first on GIJOTINA.