Shkodër/ Plagosi me armë zjarri komshiun, dorëzohet në polici autori! Zbardhet konflikti mes tyre

Është dorëzuar në policinë e Shkodrës autori i dyshuar i plagosjes së Vladimir Bruçit. Mësohet se Pjerin Bitani, sipas burimeve, është vetëdorëzuar pas negociatave të zhvilluara me efektivët e Shkodrës.

Ngjarja ndodhi ditën e sotme rreth orës 14:30, ku mbeti i plagosur shtetasi Vladimir Bruçi. Bitani dhe Bruçi njiheshin prej vitesh dhe kishin marrëdhënie miqësore me njëri-tjetrin.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se para incidentit mes dy shtetasve ka pasur një debat, i cili dyshohet të ketë nisur për çështje që lidhen me kamerat e sigurisë.

Bitani ka një lokal dhe Vladimir Bruçi i ka kërkuar që të heq kamerat e sigurisë duke qenë se ka shtëpinë aty dhe kalon çdo ditë. Autori i dyshuar nuk ka pranuar dhe pavarësisht miqësisë mes tyre përfundoi me plagosjen e Bruçit.

Konflikti më pas ka agravuar, duke përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit dhe plagosjen e Bruçit.

I plagosuri është transportuar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, pas dorëzimit të autorit të dyshuar, policia po vijon veprimet procedurale dhe hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe për të sqaruar motivin e saktë që çoi në konfliktin mes dy shtetasve.

Njoftimi:

Shkodër – Plagosi me armë zjarri fqinjin e tij, për motive të dobëta; pas kontrolleve të shumta, pamundësisë për t’u larguar dhe negociatave mes familjarëve dhe Policisë, vetëdorëzohet autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të komshiut të tij.

70-vjeçari u arrestua për “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Si rezultat i kontrolleve të shumta të kryera nga shërbimet e Policisë, pamundësisë për t’u larguar dhe për të qëndruar i fshehur, si dhe negociatave të vazhdueshme mes familjarëve të autorit të dyshuar dhe Policisë, shtetasi P. B. u vetëdorëzua te strukturat e Policisë, në lagjen “Rus”, ku qëndronte i fshehur prej disa orësh.

Në përfundim të veprimeve procedurale, 70-vjeçari u arrestua për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi: Rreth orës 14:30 të ditës së sotme, në lagjen “Partizani”, dyshohet se shtetasi P. B., 70 vjeç, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri fqinjin e tij, shtetasin V. B., 64 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

 

The post Shkodër/ Plagosi me armë zjarri komshiun, dorëzohet në polici autori! Zbardhet konflikti mes tyre appeared first on GIJOTINA.