Bota e artit dhe kinematografisë shqiptare është në zi. Aktorja Rezana Çeliku, e njohur për publikun shqiptar veçanërisht gjatë viteve ’70-’80, është ndarë nga jeta.
Çeliku u afrua me ekranin pa pasur një formim profesional në aktrim. Ajo nisi të shfaqej si prezantuese e festivaleve rinore në Televizionin Shqiptar, ku spikati për natyrshmërinë dhe komunikimin e saj.
Më pas, ajo interpretoi në disa produksione të njohura të kinematografisë shqiptare. Ndër rolet e saj më të spikatura ishte ai i një partizaneje në filmin “Ata ishin katër”, me regji të Kujtim Çashkut, si edhe roli i mësueses në “Shokë të një skuadre”.
Në vitin 1989, Çeliku u shfaq në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, ku interpretoi rolin e një centralisteje. Personazhi i saj, që përfshihej në një marrëdhënie me një djalë më të ri, ishte një rol jo i zakonshëm për kohën dhe ngjalli diskutime.
Ky do të ishte edhe interpretimi i saj i fundit në kinematografi. Pas largimit nga aktrimi, Rezana Çeliku punoi si mësuese në disa fshatra të Tiranës. Më vonë u diplomua në Ekonomi dhe Juridik dhe vijoi karrierën në administratën publike, ku për vite me radhë punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës.
Në një intervistë të dhënë në vitin 2011, ajo kishte folur edhe për jetën e saj personale, duke treguar se kishte zgjedhur të qëndronte e pamartuar dhe se një prej pengjeve të saj më të mëdha ishte fakti që nuk kishte pasur fëmijë.
Ndarja e saj nga jeta shënon humbjen e një tjetër emri të brezit të artistëve që lanë gjurmë në kinemanë dhe televizionin shqiptar.
The post Ndahet nga jeta Rezana Çeliku, aktorja që la gjurmë në kinemanë shqiptare appeared first on GIJOTINA.