Europa League/ Egnatia barazon pa gola ndaj Lillestrom, gjithçka mbetet e hapur për kualifikimin

Egnatia ka barazuar 0-0 me Lillestrom në “Egnatia Arena”, në ndeshjen e parë të play-off-it të Europa League-s, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në Norvegji.

Rrogozhinasit e nisën takimin me një moment të vështirë, pasi Lilleström shënoi në minutën e 6-të me Ruben Gabrielsen, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozicion jashtë loje.

Egnatia reagoi dhe në minutën e 26-të pati një mundësi të artë. Daniel Adjessa goditi me kokë pas një goditjeje dënimi, por portieri Pontus Dahlberg bëri një pritje spektakolare, duke u mohuar vendasve golin.

Në fundin e pjesës së parë, Alessandro Albanese ishte pranë golit, por goditja e tij nga afërsia përfundoi pak mbi traversë.

Momenti më i mirë i Egnatias në pjesën e dytë erdhi në minutën e 71-të. Fernando Medeiros u shkëput bukur dhe goditi fuqishëm me kokë, por topi u përplas në traversë.

Lillestrom pati gjithashtu një rast të rrezikshëm në minutën e 74-t, kur Felix Va përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e Egnatias dhe goditi nga brenda zonës, por topi kaloi pranë shtyllës së majtë.

Në minutat e fundit, asnjëra skuadër nuk arriti të gjejë golin e fitores dhe sfida u mbyll 0-0.

Kështu, gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Norvegji.

The post Europa League/ Egnatia barazon pa gola ndaj Lillestrom, gjithçka mbetet e hapur për kualifikimin appeared first on GIJOTINA.