Europa League/ Egnatia pret Lillestrom, nesër sfida e parë e ‘Play-Off’-it

Egnatia rikthehet në fushën e saj për një tjetër mbrëmje të madhe europiane.

Rrogozhinasit do të luajnë nesër në “Arena Egnatia” ndeshjen e parë të play-off-it të Europa League ndaj norvegjezëve të Lillestrom, në orën 19:00.

Pas përmbysjes spektakolare ndaj Shamrock Rovers, Egnatia ka siguruar për herë të parë në historinë e klubit një vend në “play-off”-in e Europa League, duke garantuar njëkohësisht pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League.

Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede vjen në këtë përballje me moral të lartë, pas fitores së jashtëzakonshme 5-1 ndaj Shamrock Rovers në “Arena Egnatia”.

Një rezultat që jo vetëm përmbysi humbjen 3-1 të ndeshjes së parë në Irlandë, por i dha klubit rrogozhinas një tjetër mundësi për të vijuar rrugëtimin në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm europian për klube.

Përballë do të jetë Lillestrom, një tjetër sfidë e rëndësishme për Egnatian në aventurën e saj europiane.

Ndeshja e parë do të zhvillohet në Rrogozhinë, ndërsa përballja e kthimit do të luhet në Norvegji.

Egnatia synon të vijojë të shkruajë historinë dhe të bëjë një tjetër hap të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

 

 

The post Europa League/ Egnatia pret Lillestrom, nesër sfida e parë e ‘Play-Off’-it appeared first on GIJOTINA.