Dhunuan shefin e Krimeve në Sarandë, lihen në burg 6 rojet e klubit të natës “Orange”

Gjykata ka vendosur “arrest në burg” për 6 rojet e klubit të natës “Orange”, të cilët u arrestuan pasi dhunuan shefin e Krimeve të Komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli.

Në pranga u vunë Marjo Katiraj  35 vjeç; 38 vjeçari Elgent Ndoj; 35 vjeçari Faik Hoxha; 34 vjeçari Indrit Cullhaj, 31 vjeçari Ardit Kasemi (ushtarak në Zall-Herr), Besnik Sullollari, 29 vjeç, ndërsa në kërkim u shpall 28 vjeçari Pjetër Doçi.

Ngjarja u shënua rreth orës 03:20 të 16 gushtit, në ambientet e jashtme të LOKALIT. Sipas Policisë, rojet e sigurisë po konfliktoheshin fizikisht me disa persona të tjerë. Shefi i Krimeve ka qenë duke kaluar me automjet kur ka vënë re personat duke u konfliktuar.

Ai ka ndërhyrë për të ndaluar konfliktin duke u identifikuar si punonjës policie, por rojet e sigurisë kanë nisur ta godasin me grushte. Efektivi ka reaguar në vetëmbrojtje dhe ka arritur të kontaktojë me shërbimet e Policisë për të kërkuar ndihmë.

Në vendngjarje shkuan forcat “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilët ndërhynë për të ndalur përplasjen dhe shoqëruan personat e përfshirë. Policia lokalizoi edhe pjesën tjetër të rojeve në një banesë në fshatin Gjashtë.

Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Skënder Hita pezulloi nga detyra dy punonjësit e Policisë, Inspektor Armando Shehi, efektiv i Repartit “RESI”, dhe nënkomisar Andon Binaku, efektiv i RENEA-s.

Sipas policisë, këta dy persona, të dypunësuar pa leje në lokal, nuk kanë njoftuar për konfliktin që po ndodhte dhe, pavarësisht se ishin jashtë detyre, duhet të ndërhynin për parandalimin e përshkallëzimit të tij.

 

The post Dhunuan shefin e Krimeve në Sarandë, lihen në burg 6 rojet e klubit të natës “Orange” appeared first on GIJOTINA.